Zyra e Kryeministrit

Fjalimi i Kryeministrit z. Hashim Thaçi drejtuar stafit akademik dhe studentëve të Kolegjit AAB-RIINVEST.

7 Korrik, 2010

I nderuar rektor i Kolegjit AAB-RIINVEST,
Të nderuar mësimdhënës,
Të nderuar studentë,
Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni që në fillim të shpreh konsideratën time të lartë për Kolegjin RRINVEST, për mësimdhënësit dhe veçanërisht për studentët, që janë ardhmëria e vendit tonë.

Është kënaqësi për mua që para jush të paraqitem me një ligjëratë në të cilën shprehen më së miri të arriturat e Qeverisë dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi.

Pas njëmbëdhjetë vjet jete në  liri dhe më shumë së dy vjet nga shpallja e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, ne kemi kaluar nëpër faza të rëndësishme të zhvillimit.

Sot Kosova mund të krenohet me të arriturat e saj, por nuk do të dorëzohet përballë sfidave që e presin.

Kosova, pas shpalljes së pavarësisë  është njohur  nga 69 shtete, nga vende mike, të fuqishme dhe demokratike.

Shteti i Kosovës është anëtarësuar në institucionet më të fuqishme ekonomike dhe financiare, ne Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Jemi në prag të anëtarësimit në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Në këtë drejtim, Qeveria ime është duke punuar me BE-në në përgatitjen e procesit i cili do ta shpie Kosovën drejt anëtarësimit dhe unë shpresoj që liberalizimi i vizave, gjegjësisht Strategjia e vizave, është hap i  rëndësishëm.

Nga ky liberalizim do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, e aq më shumë  Ju të nderuar studentë, duke u hapur mundësia  për të përfituar nga dija dhe të arriturat bashkëkohore  të universiteteve dhe instituteve  prestigjioze evropiane.

Dy vite pas bërjes së shtetit tonë, ne po fitojmë më shumë vetëbesim dhe kemi fituar aftësi për t’i menaxhuar punët tona.

Është synimi ynë ta bëjmë  vitin 2010, vit brenda të cilit ne e kalojmë fazën e hershme të pavarësisë dhe fillojmë të konsolidojmë me suksesin  vendin tonë.

Sot, shteti i Kosovës, ka ndërtuar dhe po punon me kapacitete të plota institucionale dhe shtetërore, po tregon zotësi të qeverisjes së mirë në proceset integruese euroatlantike, në politikat zhvillimore, në zbatimin e reformave demokratike, si dhe në rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

Të nderuar studentë

Një paraqitje telegrafike e të arriturave dhe sfidave të Qeverisë së Kosovës do duket kështu:

Nnë vitin e parë të pavarësisë, në vitin 2008, shënuam rritje ekonomike prej 5.4 %.

Në vitin 2009 shënuam rritje prej 4.4%.

Për vitin 2010 do të shënojmë rritje prej rreth 6%.

Ndërsa për periudhën e ardhshme makrofiskale 2011-2013 planifikojmë rritje konstante prej mbi 6%.

Por këto norma inkurajuese të rritjes nuk mjaftojnë.

Ne duhet të arrijmë norma edhe më të larta të rritjes për të ulur nivelin e lartë e të papranueshëm të papunësisë, sidomos të të rinjve tanë. 

Për më tepër, të gjithë e dimë që pjesa dërmuese e kësaj rritje rezulton nga fillimi i zbatimit të projekteve të mëdha infrastrukturore që është duke i bërë Qeveria e Republikës së Kosovës.

Këto projekte – rrugët dhe autostrada, kapacitetet e reja energjetike dhe të tjera – janë duke i vënë themelet për rritje ekonomike stabile në të ardhmen.

Por, ne po ashtu duhet ta ulim pjesëmarrjen e Qeverisë në ekonomi për të stimuluar sektorin privat.

Kjo është arsyeja pse ne po i privatizojmë asetet e shtetit – KEK-un dhe PTK-në – dhe së fundmi, ne e kemi përmbyllur me sukses të plotë dhënien me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, një kompanie të prestigjioze ndërkombëtare për 20 vitet e ardhshme.

Duke larguar Qeverinë nga udhëheqja e bizneseve, ne promovojmë sektorin privat dhe të përqendrohemi në punën e vërtetë të Qeverisë,  që është ndërtimi dhe funksionimi i institucioneve demokratike të shtetit.

Në funksion të kësaj  jemi duke thjeshtëzuar  procedurat e sistemit rregullator, dhe që të mos ngulfatet iniciativa private, do t’ eliminojmë pengesat  e panevojshme,  bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, siç parashihen nga Banka Botërore.

Tanimë, bie fjala, ne jemi duke punuar për një rishikim të Ligjit për Ndërtim për të thjeshtëzuar dhe përshpejtuar licencimin e projekteve të reja të ndërtimit.

Kemi ngritur performancën e ekzekutimit të shpenzimeve kapitale, pjesën prej së cilës më së shumti përfitojnë  direkt qytetarët.

Përmes kësaj, ne po e ndërtojmë një infrastrukturë moderne e cila do të jetë një themel i fortë i rritjes ekonomike të Kosovës në të ardhmen.

Kemi ndërtuar anekënd vendit rreth 600 km. rrugë të reja, kemi rinovuar shumë të tjera, e mbi të gjithë kemi filluar ndërtimin e autostradës Vermicë – Prizren – Prishtinë – deri në Merdare.

Vetëm nga ky projekt, ne po hapim rreth 4000 mije vende të reja pune.

Zonja dhe zotërinj,

Këtë vit, ne do të fillojmë projektin energjetik për 24 orë energji elektrike, përmes projekteve të termocentralit “Kosova e Re” dhe Hidrocentralit të Zhurit.

Në krahasim me vitin 2007, kemi deri ne 40% me tepër furnizim dhe mbi 13% më shumë prodhim të energjisë elektrike.

Nga 155 milion euro në vitin 2007, në vitin 2008 kemi realizuar 347 milion euro investime, një ngritje mbi 120%.

Në vitin 2009 kemi investuar mbi 400 milion euro.

Ndërsa këtë vit planifikojmë të investojmë rreth 500 milion euro.

Krahasuar me vitin 2007, kjo shënon një rritje mbi 320%.

Ne gjithashtu po marrim hapa për të stimuluar rritjen ekonomike duke i reformuar politikat fiskale. 

Ne kemi ulur normat e tatimeve direkte për 50%, siç është norma e tatimit në fitim të korporatave, që është ulur nga 20% në 10%.

Edhe për tatimet në të ardhura individuale shkalla maksimale është ulur nga 20% në 10%.

Këto janë shkallët tatimore më të ulëta në rajon.

Në krahasim me vitin 2007, në sektorin e bujqësisë kemi investuar rreth 40% me tepër.

Gjithashtu, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, ne po e zhvillojmë një strategji për bujqësinë e shekulli 21.

Zonja dhe zotërinj

Qeveria e Republikës së Kosovës prioritet të veçantë i ka dhënë  edukimit, duke krijuar kushte për hapësirë adekuate dhe rritje të të ardhurave

Sot po punojmë për të siguruar që çdo shkollë në të punojë vetëm me dy ndërrime.

Kemi rritur pagat e mësimdhënësve universitarë për 100%.

Ndërsa, ato të punëtoreve të arsimit fillor dhe të mesëm deri ne 47%.

Edhe në shëndetësi jemi përkushtuar për të ngritur standardin e shërbimit dhe përkujdesjes mjekësore të qytetarëve tanë.

Kemi arritur suksese të vlefshme, duke rritur buxhetin për shëndetësinë, duke  përmirësuar furnizimin me barëra esenciale.

Kemi ngritur pagat e punëtorëve mjekësorë deri në 60%.

Pensionet e kontributdhënësve janë  100% më të mëdha, ndërsa pensionet e moshës rreth 15% më të mëdha.

Në Policinë e Kosovës sot kemi shënuar rritje pagash deri ne 40%.

Të gjithë shërbyesit civilë sot marrin paga më të mëdha për mbi 20%.

Kompensimet për kategoritë sociale janë rritur, në total, deri ne 13%

Në Forcën e Sigurisë së Kosovës kemi vendosur sistem të dinjitetshëm të pagave.

Kemi realizuar zotimin për avancimin e statusit të familjeve të dëshmorëve.

Invalidët e luftës sot marrin prej 30% deri ne 100% më shumë, varësisht nga kategorizimi invalidor.

Do të miratojmë së shpejti Ligjin për Vlerat e UÇK-së dhe do të rregullojmë në mënyrë meritore statusin e veteranëve të luftës.

Për të ndërtuar sundimin e ligjit, ne po ecim përpara duke miratuar 4 ligje që do ta thjeshtëzojnë dhe modernizojnë kornizën bazike për institucionet tona të sundimit të ligjit.

Të nderuar studentë,
Zonja dhe zotërinj,

Ju të gjithë e dini që një nga fqinjët tanë nuk e pranon realitetin e Kosovës së pavarur.

Ne jemi përballë një sprove të madhe në javët në vijim sepse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet t’a jap opinionin për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Çfarëdo që të jetë vendimi, ne duhet të vazhdojmë të ecim përpara dhe ne do ta kemi mbështetjen e miqve dhe partnerëve tanë.

Tanimë është folur shumë për bisedime të reja mes nesh dhe fqinjëve serbë.

Ju siguroj që Qeveria e Kosovës është e gatshme për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv, në mënyrë të barabartë, me cilindo shtet tjetër.

Megjithatë, ne kurrë nuk do të ulemi për të negociuar pavarësinë tonë apo integritetin territorial të Kosovës.

Kosova është një dhe Kushtetuta e saj zbatohet në mënyrë të barabartë përgjatë gjithë territorit të këtij vendi.

Ju faleminderit për vëmendje!

Last modified: 7 Korrik, 2010

Comments are closed.

×