Zyra e Kryeministrit

Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën për media, me rastin e hapjes së Zyrës Administrative të Mitrovicës Veriore

23 Maj, 2012

Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën e sotme për media

Prishtinë, 23 maj, 2012

Dëshiroj t’iu informoj se sot Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim të themelojë Zyrën Administrative për Mitrovicën Veriore. Themelimi i kësaj zyre është në përputhje të plotë me përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj Propozimit Gjithëpërfshirës të Statusit, si dhe në përputhje të plotë me procesin e decentralizimit. 

Qeveria e Republikë së Kosovës momentalisht shpenzon rreth €4 milion Euro në vit për shërbimet që i ofron qytetarëve të vet në veriun e Mitrovicës.

Kjo gjithashtu përfshinë pagat, faturat e mirëmbajtjes së shkollave, zjarrëfikësit, shërbimet e mirëqenies sociale, mirëmbajtjen e parqeve, ndriçimin dhe pastrimin e rrugëve.

Për një periudhë kohore kjo është bërë me paratë e buxhetit qendror të Kosovës, të shpërndara nëpërmes Zyrës Administrative të Kombeve të Bashkuara në Mitrovicë. 

Këtë vit ne kemi festuar katër vjetorin e pavarësisë së shtetit tonë. Këtë vit me partnerët tanë ndërkombëtarë kemi filluar procesin e përfundimit të pavarësisë së mbikqyrur.

Të gjithë jemi dëshmitarë se demokracia e Kosovës po maturon, dhe se ne po marrim përgjegjësi më të plota për qytetarët tanë.

Prandaj Qeveria ka vendosur se është mëse momenti i duhur që të marrë përgjegjësi më të mëdha edhe në veriun e Mitrovicës gjithashtu.

E dimë se Qeveria duhet të bëjë më tepër për të demonstruar te qytetarët tanë në veriun e Mitrovicës se Kosova është shtëpi për të gjithë qytetarët e saj.

Themelimi i kësaj zyre është një hap tjetër për të treguar përkushtimin tonë për zhvillimin dhe prosperitetin edhe të pjesës veriore të Kosovës.

Duam të shohim që fondet e Qeverisë së Kosovës t’iu ofrohen qytetarëve të saj në veri dhe përdoren për benefitet e tyre dhe për të plotësuar nevojat e tyre. Për këtë qëllim kemi marrë  vendim të themelojmë këtë zyrë.

Ne do të jemi të përkushtuar të ofrojmë shërbime më të mira me përgjegjësi më të madhe, si dhe investime në infrastrukturë duke u bazuar në prioritetet e qytetarëve në veriun e Mitrovicës.

Ne do të punojmë të përkushtuar për një administratë transparente dhe besojmë se qytetarët me të vërtëtë do të fillojnë të shohin përmirësime në jetën e tyre.

Tanimë Qeveria e Kosovës ofron shërbime nëpërmes 7 zyreve në veriun e Kosovës. Këto zyre ofrojnë shërbime si pajisja me dokumente personale, pagesat e pensioneve dhe pagave të punëtorëve të sektorit publik.

Mbi 10 mijë aplikacione për dokumentet e Kosovës janë pranuar gati që 2 vite vetëm në veriun e Mitrovicës, dhe çdo muaj Qeveria paguan pensione dhe paga për rreth 12 mijë qytetarë në veriun e Kosovës.

Dhe dëshiroj ta shfrytëzoj rastin të theksoj se ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë. 

Zëvendës Kryeministri Petroviç do t’iu jap detaje më tepër për zyrën, por më lejoni të përfundoj se Qeveria ime vazhdon të jetë e përkushtuar të ju shërbejë sa më mirë që mundemi me të gjitha mundësitë tona.

Gjithashtu dua të siguroj qytetarët atje se Qeveria mbetet e përkushtuar të bisedojë me ata dhe të ndëgjojë brengat e tyre, dhe të përmirësojë jetën e qytetarëve atje.

Të nderuar të pranishëm

Ky vendim është marrë sot në Mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, pra para pak minutash. Për këtë vendim kemi informuar edhe z. Peter Faith, edhe autoritete e EULEX-it, KFOR-it, Komisionit Evropian, edhe prezencën UNMIK-ut që është këtu, si dhe përfaqësuesin e BE-së në Kosovë, z. Zhbogar.

Falënderoj të gjithë për mbështetjen!

Fjala e Zëvendëskryeministrit Petrovic në konferencën e sotme për media

Prishtinë, 23 maj 2012

Themelimi i Zyrës Administrative për Mitrovicën e Veriut pasqyron përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të sjellë shërbimet më afër të gjithë qytetarëve të saj. Ne presim që ZAMV të përmirësojë cilësinë e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve në pjesën veriore të Mitrovicës në mënyrë transparente dhe llogaridhënëse dhe që ajo t’u ofrojë atyre mundësi për të marrë pjesë në procesin e vendimmarrjes duke ngritur shqetësimet dhe nevojat e zonës së tyre në këtë zyrë. 

Ne po e themelojmë ZAMV me që ne dëshirojmë të shohim qytetarët e Mitrovicës së veriut plotësisht të integruar në qeverisjen lokale. Ne dëshirojmë që Mitrovica e veriut të përparojë ekonomikisht dhe të ketë infrastrukturë më të mirë. Ne dëshirojmë që nga fondet që derdhen në veri të përfitojnë të gjithë banorët që jetojnë aty dhe që njerëzit që jetojnë aty të vendosin se për çfarë qëllimesh të shfrytëzohen këto fonde. 

ZAMV do të ketë shtatë departamente që do ta mbikëqyrin administrimin e granteve të vogla, shërbimeve dhe projekteve të infrastrukturës. Ne planifikojmë që në fillim të angazhojmë 56 punëtorë dhe ta zgjerojmë stafin në 80 veta në një të ardhme të afërt.

ZAMV do të kryesohet nga një Zyrtar i Lartë Ekzekutiv i cili do të ketë shumë përgjegjësi të njëjta me ato të kryetarit. Zyrtari i lartë ekzekutiv do të zgjidhet përmes një rekrutues konkurrues dhe transparent të organizuar Ministria për Administrim të Pushtetit Lokal dhe i emëruar nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me ICO.

Zëvendës zyrtari i lartë ekzekutiv dhe shtatë drejtorë sektorialë do të zgjidhen për të ndihmuar implementimin e detyrave të caktuara për ZAMV. 

Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës po ashtu merr më shumë përgjegjësi për mënyrën se si investon burimet e saj në veri. Andaj, ne kemi vendosur që buxheti me të cilin kemi kontribuar për operacionet e Administratës së UNMIK-ut në Mitrovicë (UAM) nuk do të shkojë më tek UAM por tek ZAMV për investime në pjesën veriore të Mitrovicës.

Punonjësit e UAM janë të mirëseardhur të aplikojnë për pozitat në ZAMV. 

Hapja e ZAMV është një hap logjik në vazhdën e përkushtimit të Qeverisë ndaj pjesës veriore të Kosovës. Qytetarët në veri veçse shfrytëzojnë shërbimet e ofruara përmes Qendrës për Shërbim të Qytetarëve, zyrës tatimore dhe ekipit përgatitor komunal (MPT). OJQ-të dhe bizneset kanë përfituar nga grante të vogla të financuara nga Qeveria.

Dëshirojmë të shohim që edhe veriu të prosperojë dhe që qytetarët e veriut të marrin pjesë në qeverisjen e tyre. Ne dëshirojmë të shohim qytetarët e Mitrovicës së veriut të jetojnë në një mjedis të zhvilluar ekonomik dhe në një shoqëri demokratike. 

Fjalimi i Përfaqësuesit civil ndërkombëtar, Peter Faith në konferencën e përbashkët për media me Kryeministrin Hashim Thaçi

Peter Faith: Siç e dini, mandate i organizatës sime i përfaqësuesit civil ndërkombëtar po i vjen fundi, dhe kjo po paralajmëron edhe fundin e mbikëyrjes së pavarësisë, prandaj ne kemi punuar aktivisht me Qeverinë për të përfunduar hapat e fundit drejt zbatimit të plotë të planit të Ahtisaarit.

Prandaj, unë jam shumë i kënaqur që Qeveria sot mori vendim për themelimin e kësaj zyreje administrative për Mitrovicën veriore.

Dua të përgëzoj kryeministrin, zëvendëskryeministrin Petroviq për hapin e rëndësishëm që e kanë ndërmarrë. Është hap i rëndësishëm sepse vendet që e kanë njohur Kosovën dhe që e mbështesin atë, gjithmonë kanë besuar se Kosova duhet të vazhdoj si demokraci shumetnike, ku të gjitha komunitete do ta gjejnë vendin e tyre, ku Kosova do të jetë atdhe i të gjitha komuniteteve që jetojnë dhe punojnë këtu.

Ne i mbështesim përpjekjet e Qeverisë drejt zhvillimit të demokracisë lokale drejt përmirësimit të zhvillimit ekonomik dhe drejt mbrojtjes së mënyrës tradicionale të jetës së gjithsecilit.

Më lejoni poashtu të them se gjatë përgatitjes së këtij hapi, pra të themelimit të Zyrës Administrative, është dashur ca kohë, sepse ndonëse është zyre teknike për nga atyre, kërkon përgatitje adekuate, dhe siç e dëgjuat edhe nga Zëvendëskryeministri, nevojiten edhe më shumë përgatitje sa i përket punësimit, dhe që Zyra të bëhet funksionale sa më parë që është e mundur.

Dua t’iu siguroj juve, z.Kryeministër, Zëvendëskryeministër, se ICO-ja në muajt që vijnë do të punoj ngushtë me ju për të siguruar që kjo Zyre Administrative të jetë funksionale sa më shpejt që është e mundur.

Dhe në fund, më lejoni të theksoj atë që thash, ky është një hap i rëndësishëm, por është i natyrës teknike, nuk duhet politizuar, dhe nuk duhet të jetë arsye për ata që nuk pajtohen, që të shkaktojnë dhunë.

Jemi duke punuar drejt një tranzicioni të lehtë, dhe do të përfundoj me një aranzhim i cili do të mbështes plotësisht nevojat e qytetarëve të veriut, dhe besojmë se me këtë strukturë të re, në fakt Qeveria dhe ministritë do të jenë në gjendje që përmes kësaj zyreje dhe autoriteteve komunale, të ofrojnë në Mitrovicë,  shërbime më të mira qytetarëve, shërbime më të mira se sa kanë pasur deri më tani.

Po ashtu, përveç kësaj, Zyra do të siguroj edhe punë të tjera infrastrukturore, të cilat do të mbështeten nga donatorët tradicionalë të Kosovës, siç janë SHBA-të, USAID-i, dhe donatorë tjerë miq.

Faleminderit shumë! 

Last modified: 23 Maj, 2012

Comments are closed.

×