Zyra e Kryeministrit

Fjalimi i Kryeministrit në Ditën e Pavarësisë

17 Shkurt, 2008

Prishtinë, 17 shkurt 2008

I nderuari Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
I nderuari President,
Të nderuar mysafirë,
Bashkëqytetarë të nderuar;

Këtë ditë e kemi pritur gjatë.

Shumë njerëz kanë dhënë kaq shumë për ta bërë realitet këtë ditë të pavarësisë.

Sot, ne nderojmë ata që na kanë nderuar neve me sakrificën e tyre.

Ne i mbajmë mend emrat e tyre ndërsa kujtimin për ta do ta ruajmë përgjithmonë në zemrat tona. Ne jemi mirënjohës miqve dhe aleatëve tanë në vend dhe jashtë vendit të cilët na kanë ndihmuar të mbërrijmë deri këtu.

I përshëndes të gjithë ata që janë sot këtu me ne ndërsa atyre që janë duke na shikuar në këto momente, u shpreh mirënjohjen më të thellë në emër të popullit tim.

Kjo ditë erdhi, e nga sot e tutje Kosova është krenare, e pavarur, sovrane dhe e lirë.
I nderuari Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
I nderuari President
Të nderuar mysafirë,
Bashkëqytetarë të nderuar;

Kosova po e shpall pavarësinë e saj në përputhje me Propozimin Gjithëpërfshirës të Ahtisarit.

Pavarësia e Kosovës shënon fundin e shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Zbatimi i dispozitave të Ahtisarit të cilat janë inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës janë prioritet nacional për ne.

Kuvendi i Kosovës do të miratojë të gjitha ligjet kryesore që dalin nga dokumenti i Ahtisarit në ditët në vijim.

Kosova çmon rolin të cilin e ka luajtur OKB-ja në rindërtimin e Kosovës dhe të ndërtimit të institucioneve tona.

Presim të punojmë me OKB-në për të avancuar përpjekjet tona të përbashkëta për paqen, sigurinë dhe zhvillimin demokratik.

Gjithashtu, ne mirëpresim misionin e ri ndërkombëtar të udhëhequr nga Bashkimi Evropian i cili do të na ndihmojë në zhvillimin tonë demokratik dhe do ta mbikëqyr zbatimin e planit të Ahtisarit.

Me këtë rast, dua t’i siguroj fqinjët tanë se Kosova do të bëjë çmos që të vendos dhe mbajë raporte të mira me të gjitha vendet fqinje.

Ne aspirojmë të kemi raporte të mira të ndërsjella në interesin e përbashkët edhe me Beogradin me besimin se kjo është në interesin tonë të përbashkët.

Që nga sot, Kosova do të jetë shtet demokratik dhe shumë-etnik i të gjithë qytetarëve të saj, në rrugëtimin e saj të shpejtë drejt integrimeve euroatlantike.

Ju faleminderit.

Familja ime, sikurse tuajat dhe të gjitha familjet në tërë Kosovën nuk u luhatën kurrë dhe nuk e humbën asnjëherë besimin në ne.

Besimin në zot, drejtësi dhe fuqi.

Duke filluar më vëllanë që la familjen e tij dhe shkoj për të luftuar, nga bujku që la tokën e tij pa mbjellë, nga burrat dhe gratë që hapën portat e tyre dhe mësuan fëmijët tanë, e deri tek studentët të cilët u ngritën dhe thanë ”mjaft”.

Të gjithë atyre që janë kthyer për të ndërtuar një jetë më të mirë për fëmijët e tyre: “ne nuk humbëm kurrë besimin në ëndrrën se një ditë ne do të qëndrojmë në mesin e shteteve të lira të botës”.

Të gjithë ne së bashku e sollëm Kosovën në këtë moment -dhe të gjithë duhet te jemi shumë, shumë krenarë.

Ashtu sikur prindërit dhe gjyshërit e mi që më mësuan mua për sakrificë, se çka do të thotë të jesh i lirë, nga ju kërkoj që të flisni me fëmijët, nipat dhe mbesat tuaja që t’ua shpjegoni domethënien e ditës së sotme.

Barteni këtë rrëfim tek brezat tjerë për gëzimin dhe krenarinë që ndiejmë ne sot dhe mos harroni asnjëherë t’ua përkujtoni atyre që t’i kujtojnë sakrificat e mëdha të brezave që ishin para nesh.

Kosova, në vitet e ardhshme, do të përballet me shumë sfida.

Por, asnjë sfidë nuk do të na zmbraps nga ecja jonë përpara në një frymë të bashkuar të një populli të bashkuar.

Sfidat tona, që nga ekonomia, arsimi dhe shëndetësia, infrastruktura dhe integrimi evropian, janë sfida të mëdha, por nuk mund t’u bëjnë ballë frymës pozitive të qytetarëve tanë dhe fatit tonë.

Kosova, populli dhe territori, janë bashkuar sot në një moment historik për t’i përmirësuar jetën e çdo qytetari brenda kufijve tanë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

Shpresat tona nuk kanë qenë asnjëherë më të mëdha.

Ëndrrat tona janë të pakufishme.

Sfidat para nesh janë të mëdha por asgjë nuk mund të na ndalë nga ecja jonë përpara drejt çasteve historike të cilat historia i ka ndarë për ne.

Sot, e gjithë bota është me ne – ne po bëhemi pjesë e barabartë e botë demokratike.

Deri tash kemi bërë shumë për të garantuar zotimin tonë para komuniteteve.

Në këtë ditë historike dëshiroj ta konfirmoj gatishmërinë tonë politike për të krijuar kushtet e nevojshme për respektimin dhe mbrojtjen e komuniteteve dhe për të përmirësuar raportet midis tyre në Kosovë.

Kushtetuta dhe ligjet tona do ta pasqyrojnë këtë së bashku me një strategji ndërinstitucionale në të gjitha nivelet e shtetit.

Këto zotime tonat do të mishërohen në tri elemente kryesore:

E para, garantimi i fuqishëm dhe i pakthyeshëm me ligj i të drejtave të barabarta të të gjithë pjesëtarëve të komuniteteve në Kosovë;

E dyta, krijimi i mekanizmave të përhershëm për të garantuar që komunitetet të luajnë një rol të plotë dhe aktiv në zhvillimin e së ardhmes së vendit tonë;

Dhe e treta, është përgjegjësia jonë për të marrë masa efektive dhe të menjëhershme për të siguruar që zotimet tona të rezultojnë në ndryshime pozitive për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, e në veçanti për pjesëtarët e komuniteteve.

Kushtetuta jonë parasheh që Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj.

Nuk ka hapësirë për frikësim, diskriminim ose trajtim jo të barabartë për askënd.

Çdo praktikë diskriminuese do të çrrënjoset nga institucionet tona shtetërore.

Në vend të kësaj, të gjithë pajtohen se shumëllojshmëria sjell përfitime pozitive për të gjithë.

Dragi sugradjani,

Danashnji dan označva kraj jednog dugog procesa.

Ovo je kraj zadnjih pretnji i zabluda da će Kosovom ikada više vladati Beograd.

Sami Kosovari, svih etničkih, verskih i jezičkih pripadnosti će jedno nositi odgovornosti o svojoj zemlji.

Mi činimo Kosovo nezavisnim sa ciljem da slobodu i ostale blagodati naše zemlje uzivaju svi gradjani.

Neka ovo bude dan novog početka.

Neka ovaj dan označi početak bolje budćnosti za sve naše građane države Kosovo.

Neka naš Dan Nezavisnosti bude slavljen u narednim godinama i vekovima u potpunom miru, pravdi i blagostanju. 

Last modified: 17 Shkurt, 2008

Comments are closed.

×