Zyra e Kryeministrit

Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa në konferencën për media

14 Janar, 2017

Prishtinë, 14 janar 2017

Fillimisht më lejoni që të theksoj shqetësimin që kemi pasur dhe kemi përjetuar sot të gjithë duke u përballur me një situatë tërësisht të panevojshme të krijuar nga Serbia në kuadër të lojërave të saj të pandershme.

Andaj bashkëndjej me ju këtë shqetësim real dhe ju falënderoj shumë për përkrahjen e jashtëzakonshme që të gjithë qytetarët e Kosovës, institucionet dhe miqtë tanë ndërkombëtarë e kanë dhënë për përballimin e saj.

Më lejoni të theksoj se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe gjitha dikasteret e saj, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Infrastrukturës, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe autoritetet tjera përgjegjëse janë angazhuar gjatë gjithë këtyre ditëve, jo vetëm sot, që në mënyrë intensive të adresojnë të gjitha aspektet ligjore, procedurale, teknike dhe operative për të trajtuar në mënyrë institucionale, me maturi dhe vendosmëri këtë çështje.

Dua të theksoj se së bashku me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli dhe në konsultime me Presidentin e Republikës së Kosovës, z. Thaçi pas kthimit të tij në vend, kemi marrë të gjitha masat që të informojmë faktorin ndërkombëtar për këtë situatë, kemi mobilizuar të gjitha institucionet shtetërore për t’u përballur me situatën dhe po ashtu janë ndërmarrë masat adekuate që na takojnë në përputhje me ligjet, në përputhje me Kushtetutën që të adresohet ky problem.

Gjatë kësaj kohe kemi zhvilluar takime me institucionet kompetente shtetërore, me përfaqësues të misioneve diplomatike dhe misioneve tjera në Kosovë, në mënyrë që të sensibilizojmë synimet e mbrapshta të Serbisë për të destabilizuar situatën në Kosovë.

Dje kemi mbajtur Këshillin e Sigurisë së Kosovës ku ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Kuvendit dhe gjitha institucionet që i takojnë këtij Këshilli dhe kemi marrë vendim që institucionet e Republikës së Kosovës në përputhje me situatën të ndërmarrin gjitha veprimet ligjore dhe veprimet kushtetuese.

Unë mendoj se kthimi mbrapa i këtij treni është veprim i duhur, dhe se hyrja e tij në Republikën e Pavarur dhe Sovrane të Kosovës nuk do të lejohej, ose në rast se do të hynte do të trajtohej në përputhje të plotë me ligjet e Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës është jetësisht e përkushtuar që të kontribuoj në lëvizjen e lirë të qytetarëve, realizimin e  marrëveshjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e qytetarëve, por, nuk do të lejoj provokime të tilla të cilat kanë për synim final kthimin e Kosovës dhe të rajonit në vitet e errëta të konflikteve të paparashikueshme.

Me këtë rast, më lejoni të theksoj vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që në bashkëpunim të plotë me Presidentin e Republikës së Kosovës dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës, të angazhohemi për të adresuar të gjitha çështjet që lidhen me mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Një falënderim të posaçëm e kam edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian për përkrahjen e tyre për Republikën e Kosovës në të gjithë hapat e saj, sepse kjo përkrahje është shumë e rëndësishme për ne, që të zgjidhim problemet që i kemi tani por poashtu, të zgjidhim edhe problemet me të cilat do të ballafaqohemi edhe në të ardhmen në ndërtimin e institucioneve tona dhe në rrugën tonë evropiane dhe euroatlantike.

Faleminderit!

Last modified: 14 Janar, 2017

Comments are closed.

×