Zyra e Kryeministrit

Fjala e plotë e kryeministrit Haradinaj në Akademinë Përkujtimore – Dita e dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”- Dita e rënies së Heroit Agim Ramadani

11 Prill, 2018

Prishtinë, 11 prill 2018

I nderuar Gjeneral Berisha, komandant i Brigadës 138,
Të nderuar bashkëluftëtarë të gjallë të kësaj Brigade,
Familjarë të dëshmorëve e të heronjve,
Të gjithë ju prezent,
I nderuar President I vendit, shkëlqesia juaj, z. Hashim Thaçi,
Ministra, deputetë, ambasadorë të nderuar,

Krenaria jonë e kujtimit dhe e nderimit për të rënët për liri gjendet kudo, në shumë ngjarje e në shumë beteja, por na bënë nder se sa unike dhe sa e veçantë është në Koshare.

Janë luftëtarët më të zotë të të gjitha trojeve shqiptare dhe ka edhe dëshmorë të huaj. Janë njerëz që kanë pas një rrugë të gjatë jetësore në shërbim të atdheut, janë njerëz që kanë kaluar edhe burgjet, edhe persekutimet, edhe përndjekjet, edhe etiketimet, por s’kanë heq dorë nga dashuria ndaj atdheut.

Janë njerëz që i kanë rezistuar edhe përçarjeve, edhe thyerjeve dhe të gjitha pengesave dhe askush s’ka mundur me i ndal deri në vijën e parë të luftës, deri në flijimin e tyre për atdhe.
Këta njerëz i gjejmë si sinonim, i gjejmë të unifikuar, pikërisht në tre emra që i shohim këtu, e që nuk janë të vetmit, por vërtetë janë unikë, e që janë Agim Ramadani, Sali Çekaj dhe Xhemajl Fetahu, dhe plotë të tjerë.

Andaj, shqiptarët kanë të drejtë me qenë krenarë. Shqiptarët kanë të drejtë me ndje këtë krenari të flijimit për atdhe, jo vetëm pse kemi luftëtarë kaq unikë, në të njëjtën kohë dhe intelektual, piktor, prind, por edhe për diçka tjetër sepse këta brumosjen për liri nuk e kishin të lehtë, këta gjithë kohën ishin në presion të asimilimit, gjithë kohën në presion të ideve se sa e mirë është Jugosllavia, gjithë kohën me brumosje se nuk duhet kurrqysh me përkrahë ide e procese nga cilat do të na vinte një ditë liria. Fjala që është thënë shumë herë “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”, kjo fjalë i ka mujt të gjitha, kjo fjalë i ka bërë bashkë të gjithë.
Fatmirësisht ne sot mund të themi dhe t’i kujtojmë me pietet edhe mendimtarët e zot, edhe luftëtarët, por veçanërisht të mburremi me figurat kaq unike të heronjve tanë, të Agim Ramadanit, përvjetorin e rënies heroike të të cilit sot e kujtojmë dhe gjithë dëshmorët e Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe t’iu themi një faleminderit të madh bashkëluftëtarëve të gjallë, familjeve të dëshmorëve e të bashkëluftëtarëve.

Lavdi dëshmorëve që i kujtojmë sot.

Last modified: 11 Prill, 2018

Comments are closed.

×