Zyra e Kryeministrit

Fjala e kryeministrit Isa Mustafa në konferencën për gazetarë

6 Maj, 2016

Prishtinë, 6 maj 2016
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën ka folur për të arriturat dhe zhvillimet pozitive që kanë ndodhur ditëve të fundit në Kosovë.
 
Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa në konferencë.
 
Dëshiroj që me ju të ndajë këtë fundjavë, pasi që ishte një javë shumë e rëndësishme për Republikën e Kosovës, në të cilën ne përmbyllëm një proces që është punuar shumë gjatë, të përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave dhe patëm një vlerësim të lartë të Komisionit Evropian për këtë përmbushje të kritereve dhe rekomandimin për liberalizimin e vizave që është një sukses shumë i madh dhe një e arritur e madhe e Kosovës, e qytetarëve të Kosovës, e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Andaj unë dëshiroj që edhe sot përmes jush t’i falënderoj edhe qytetarët tanë, të falënderoj edhe institucionet e Bashkimit Evropian për mbajtjen e fjalës së tyre që të vendoset sipas meritave të Kosovës dhe kjo është një e arritur e madhe e të gjithë neve.

Dëshiroj të them se ne do të punojmë në ndërkohë që të përmbushim edhe kërkesat tjera që i ka Komisioni Evropian që janë të ndërlidhura me vendimin e Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të Bashkimit Evropian për të hyrë në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave të cilat janë deklaruar dje edhe nga përfaqësuesja e lartë për Politika të Jashtme të Bashkimit Evropian dhe Siguri, znj. Mogherini edhe nga komisioneri Avramopoulos.

Në ndërkohë ne po punojmë edhe për përgatitjet për promovimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Më 16 dhe 17 maj do të kemi prezencën e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, përkatësisht më datë 17 prezencën e komisionerit Hahn me të cilin ne do të punojmë bashkërisht në promovimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, që po ashtu është një marrëveshje e parë kontraktuale e Kosovës me Bashkimin Evropian e cila hap shumë rrugë jo vetëm të zhvillimit ekonomik, të marrëdhënieve tregtare, por edhe të forcimit të shtetit ligjor dhe përmirësimit edhe avancimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve me fqinjët.

Kemi arrit një sukses të mrekullueshëm me anëtarësimin tonë në UEFA, në Asociacionin e Federatave të Futbollit Evropian. Është një gëzim i madh i të gjithë qytetarëve, veçmas i të rinjve dhe ne e kemi përjetuar këtë edhe pse në moshë më të shtyrë sikurse të rinjtë, sepse emocionet tona kanë qenë së bashku me ta. Është një fitore e dyfishtë. Fitorja e parë është e merituar, sepse ne e kemi merituar edhe përpara të jemi pjesë e UEFA-s, por edhe një mundje e atyre që kanë tentuar ta pengojnë anëtarësimin tonë në UEFA përkundër plotësimit të të gjitha kritereve, përkundërt dëshmive juridike të dhëna në mënyrën më të mirë nga përfaqësuesit e UEFA-s në Kongresin në Budapest.

Dëshiroj t’ju them se kisha një vizitë shumë të suksesshme në Budapest dhe takim me kryeministrin e Hungarisë z. Orban. Kemi biseduar për shumë çështje të interesit të përbashkët, veçmas jemi ndalë në përkrahjen që ne kemi kërkuar nga ata për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe UEFA-n, meqenëse ishim në kryeqytetin mikpritës.

Kemi biseduar për çështje të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, të bashkëpunimit tregtar, të propozimit të tyre dhe ofertës së tyre për kredi prej 65 milionë euro si kredi të butë për Kosovën për fusha të ndryshme që janë të interesit të përbashkët zhvillimor me Hungarinë dhe po ashtu kanë ofruar edhe mundësi që të zgjerojnë numrin e studentëve tanë që studiojnë në Hungari dhe të japin bursa për këta studentë, përfshirë edhe Akademinë e Futbollit edhe të rinjve tanë që mund t’i dërgojmë për stërvitje në Akademinë e Futbollit atje.

Ne tani po punojmë në përgatitjen e seancës së përbashkët dy qeverive, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë. Këtë seancë do ta mbajmë më datën 3 qershor. Do të trajtojmë marrëveshjet që i kemi nënshkruar deri më tani dhe implementimin e këtyre marrëveshjeve dhe po ashtu do të bëjmë nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të cilat i shohim me interes të përbashkët.

Në ndërkohë do të punojmë fuqishëm në transformimin e Forcave të Sigurisë të Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës dhe në përplotësimin e kushteve tona, njëherë të bashkëpunimit më të ngushtë me NATO-n dhe pastaj të anëtarësimit në NATO, sepse ky tash është edhe objektiv themelor i cili neve na mbetet në këtë periudhë. Sa i përket kushteve ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet tona, e kemi përgatit ligjin, i kemi përgatit ndryshimet kushtetuese dhe çdo gjë është në rregull, por duhet të punojmë më shumë me pakicat që ta fitojmë përkrahjen e tyre dhe votën e tyre në Kuvend, sepse duhet të sigurojmë 2/3 e të gjithë deputetëve dhe 2/3 e pakicave si kriter kushtetuese, të cilën gjë duhet ta bëjmë edhe me një përkrahje më të madhe të komunitetit ndërkombëtar, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkrahje e cila është prezentë, por e cila në këtë moment duhet të adresohet edhe ndaj palës tjetër, e cila deri më tani e ka penguar këtë proces. Në të gjitha takimet që kemi pasur në NATO, unë vitin e kaluar me sekretarin e NATO-s dhe përfaqësuesit tjetër të NATO-s, na kanë bërë të ditur se ky transformim duhet bërë duke ruajtur pajtimin i cili është arritur deri më tani dhe sugjerimi është që të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe jo vetëm përmes Ligjit mbi Forcat e Armatosura.

Po punojmë edhe në Ligjin për Trepçën. Është duke punuar Komisioni të cilin ne e kemi mandatuar në Qeveri. Do ta kemi një propozim në kohë të caktuar, kështu që nuk do të vonohemi sa i përket afatit kohor i cili është i lidhur edhe me Agjencionin Kosovar të Privatizimit dhe mendojmë se këto do të jenë fushat themelore në të cilat ne do të punojmë tani para pushimeve verore, duke përfshirë edhe prioritetet tona themelore që kanë të bëjmë me zhvillimin ekonomik, vizitat të cilat do t’i kemi në organizata të ndryshme të biznesit në terren dhe në komuna, në mënyrë që të aktivizojmë sa më shumë dhe të marrim inpute prej komunave dhe prej bizneseve lidhur me situatën të cilën ne e kemi.

Unë sot dëshirova të shfrytëzoj këtë rast t’ju adresohem edhe lidhur me disa akuza që kanë qenë ndaj meje në një emision titulluar “Portreti i paautorizuar i Isa Mustafës”. Unë si kryeministër nuk kam dashur që të merrem me këtë sepse kanë qenë dy ngjarje shumë të rëndësishme për ne, e para në Budapest dhe  e dyta në Bruksel. Prandaj kam dashur që të merremi me këto çështje, por assesi që të heshti para akuzave të tilla, sepse unë dëshiroj që të jem transparent ndaj jush, ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, ndaj atyre që më kanë dhënë votën, ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës në pikëpamje të personalitetit tim, në pikëpamje të pasurisë time, të familjes time dhe ajo që është e vërtetë të merret e vërtetë, ndërkaq ajo që nuk është e vërtetë, edhe përkundër respektimit të lirisë së shtypit dhe të fjalës së lirë, dua që të ballafaqohemi me të vërtetën. Unë vlerësoj se shumë vlerësime të tilla që janë dhënë aty, veçmas ato që kanë bëjnë me pasurinë time janë të pavërteta dhe të pabazuara, ndërkaq sa i përket vlerësimeve politike, vlerësimeve të ngritjes së personalitetit tim politik në të kaluarën, para lufte dhe pas lufte, janë qytetarët e Republikës së Kosovës ata që e kanë vlerësuar personalitetin tim, është vota që e kam marrë nga qytetarët e Republikës së Kosovës, është aktiviteti im që e kam zhvilluar në ekzil si ministër i Ibrahim Rugovës dhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës, sepse atëherë nuk kemi pasur pushtet tjetër. Është vendimi që Presidenti Rugova e ka marrë që unë posa jam kthyer këtu të emërohem për ministër të Financave, gjë që e kam lutur atë të më lirojë, sepse kam dashur të merrem me punë profesionale dhe me çështje të familjes time. Dhe gjithë këtë e lë që të gjykohet nga qytetarët, të gjykohet edhe nga anëtarësia e LDK-së dhe të gjykohet nga opinioni publik.

Unë po ashtu me respektin më të madh për mediat, për fjalën e lirë, edhe i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë time si kryeministër mund të them se e gjithë pasuria ime është ajo që unë e kam paraqit sipas ligjit dhe kritereve ligjore para Agjencisë Kundër Korrupsionit. Ajo është pasuria që unë e posedoj. Fotografitë të cilat janë dhënë në opinion lidhur me tri shtëpi tjera, dy fotografi të një shtëpie të njëjtë në fshatin Prapashticë, janë fotografi të shtëpisë e cila s’është e imja. Unë nuk dëshiroj që para jush të them se e kush është pronari, por i lus ata që e kanë prodhuar këtë emision dhe ata që e kanë bërë emetimin e emisionit që të shkojnë atje të bisedojnë dhe ta shohin se kush është pronari, që të marrin dokumentacionin e pronësisë dhe të vërtetojnë se e kujt është ajo pronësi, sepse ajo nuk është pronësi e imja dhe nuk është shtëpi e imja.

Aty, me sa kam parë, është një shtëpi që është në fqinjësinë time, por është një shtëpi e cila është fotografuar në dy anë dhe ka dalë se janë dy shtëpi atje. Edhe shtëpia e cila është dhënë në fqinjësi timen këtu në Prishtinë, në rrugën “Ilir Konushevci” nr. 73, nuk është shtëpi e imja. Prapë edhe aty mund të shkoni ju ose kushdo dhe ta vërtetojnë se e kujt është ajo shtëpi. Ajo shtëpi është e kushërinjve të mi, që jetojnë aty nga viti 1938 ose 1940, dhe shtëpia ime është e kapur me të dhe fotografia e shtëpisë time është dhënë aty do të thotë është gjysma e saj sepse, unë posedoj gjysmën e shtëpisë dhe vëllai im e posedon gjysmën e shtëpisë tjetër, është ajo që unë e kam dhënë si evidencë timen në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Sa i përket Stadiumit Futbollistik Prishtina , e vërteta është se unë diku në vitin 2006 kam marrë pjesë si aksionar i klubit me 6 mijë euro, derisa kam qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës të Re të Kosovës, më vonë kam heq dorë prej asaj, në momenti kur kam shkuar të bëhem kryetar i Komunës së Prishtinës, sepse Stadiumi ka qenë në pronësi të Komunës së Prishtinës dhe unë nuk e kam asnjë aksion në klubin futbollistik “Prishtina”. Pse autori i emisionit sheh arsye që atë ta bëjë dhe të më lidhë edhe me biznese tjera është çështje e tij, prandaj është çështje që ai duhet ta sqarojë para opinionit.

Sa i përket pasurisë së djemve të mi. Unë kam dy djem njëri është bashkëmenaxher i firmës “Intereuropa”, sepse menaxheri tjetër është slloven dhe tjetri është përfaqësues i firmës “BMW” këtu, që është e lidhur me Maqedoninë, sepse qendra është në Shkup. Unë ju ftoj edhe juve edhe organet e shtetit që të vërtetojnë se ku janë milionat e tyre. Ajo që unë mund të them para jush, është që pronat që janë dhënë dhe shtëpitë që janë dhënë në foto nuk janë shtëpi të tyre dhe prona të tyre. Ndërtesa e “Intereuropa” është ndërtesë private të cilën “Intereuropa” e shfrytëzon me qira dhe paguan qira mujore për të dhe ndërtesa që po ashtu shfrytëzohet nga përfaqësia e BMW-së, është ndërtesë private për të cilën paguhet qira, dhe për të cilën ju mund ta vërtetoni, edhe prodhuesi i emisionit mund të vërtetojë se të kujt janë ato objekte të cilat janë dhënë se janë shumë të mëdha dhe paraqesin një pasuri të veçantë.

Unë kam aksione në Institutin “Riinvest”. Aksionet e mia janë ato që kam paraqitur përpara, ndërkaq vlera e tanishme e aksioneve për çka është vu në dyshim se kah u rritën, nuk është rezultat i aksioneve të reja ose i pagesave të reja, por është rezultat i vlerës së tregut të cilën e ka vlerësuar Bordi i Riinvestit dhe ka thënë se tash ato aksione e kanë këtë vlerë nuk e kanë atë që e kanë pas fillimisht. Me këtë dëshirova që të jem i hapur para jush, që t’ju them se as familja ime, as fëmijët e mi nuk kanë pas privilegje të veçanta, as nga pozita ime që kam pasur si kryetar i Komunës së Prishtinës nuk kanë pasur asnjë privilegj dhe pozitë, s’kanë përfituar nga pozita ime si kryeministër i vendit. Përkundrazi, mund të them se ata kanë pasur pasoja si rezultat i pozitës time, sepse pa arsye dhe pa nevojë ata janë marrë mjaft shumë , janë vu në kritika të opinionit dhe janë penguar në kryerjen e punës së tyre si qytetarë të pavarur të këtij vendi, sepse ata nuk e kanë asnjë faj që janë fëmijë ose që janë djemtë e mi.

Unë kërkoj që prodhuesi i këtij emisioni ose ta argumentoj atë që ka dhënë, t’i argumentoj pronat e mia ose të më kërkoj falje ose unë do të ngre padi për shpifje para gjykatave sepse e konsideroj si sulm të rëndë që është bërë ndaj personalitetit tim, ndaj familjes dhe ndaj fëmijëve të mi.

Faleminderit!

Last modified: 6 Maj, 2016

Comments are closed.

×