Zyra e Kryeministrit

Fjala e kryeministrit Hashim Thaçi në takim me kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës

9 Shtator, 2011

Prishtinë, 9 shtator 2011

Të nderuar zëvendëskryeministra,
Të nderuar ministra,
Të nderuar kryetarë të komunave të Republikës së Kosovës

Ju falënderoj fillimisht për punën tuaj të palodhshme që keni treguar në këtë periudhë të ndejshme për Kosovën.

Pra, sot për të kartën herë ju kemi ftuar që të diskutojmë rreth procesit të riintegrimit të personave të riatdhesuar në kuadër të përgatitjeve për hapjen e procesit të liberalizimit të vizave, proces ky substancial për zhvillimet e mëtejme të raporteve Kosovë-BE.

Të nderuar të pranishëm,

Qeveria e Republikës së Kosovës është e vetëdijshme për progresin që është shënuar në nivel lokal, sidomos gjatë këtij viti, kur është shënuar përmirësim në mobilizimin e komunave për tu marrë me riintegrim. Është avancuar komunikimi brenda komunal dhe komunikimi në nivel qendror. Është rritur interesimi për të asistuar të riatdhesuarit, gjë që dëshmohet në rritjen e kërkesave për përfitim nga fondi për riintegrim, si dhe është përmirësuar komunikimi dhe informimi i të riatdhesuarve për të drejtat dhe mundësitë e tyre pas riatdhesimit.

Siç ju kemi informuar në takimin e fundit, Qeveria i ka dërguar ftesë Komisionit Evropian për të dërguar misionin vlerësues në Kosovës, për të vlerësuar progresin në kuadër të procesit të riintegrimit të personave të riatdhesuar si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror.

Siç jeni të informuar, ky mision do të zhvillohet në javën tjetër, ku ekspertë nga KE-ja dhe shtetet anëtare të BE-së do të zhvillojnë takime me të gjithë akterët relevantë në këtë proces.

Duke u bazuar në informacionin që kemi në dispozicion, ky mision vëmendje të veçantë do t’i kushtojë vlerësimit të përmbushjes së obligimeve që dalin nga procesi i riintegrimit ne nivel komunal.

Të nderuar të pranishëm,

Duke e ditur rëndësinë që ky mision do të ketë në hapjen e procesit të liberalizimit të vizave, kërkojmë nga ju që të siguroheni, që komunat që ju drejtoni do të jenë të përgatitura maksimalisht për këtë mision, duke pasur parasysh vizitat që ky mision do zhvillojë në komunat tuaja përkatëse.

Në kuadër të përgatitjeve, ju lusim, që në rast vizite nga ekspertët e përmendur, të siguroni bashkëpunimin maksimal me ta dhe të ndani gjithë informacionin që keni në dispozicion për të siguruar kështu që, progresi i arritur do të reflektohet edhe në raportimin vlerësues që ata do të bëjnë.

Për më tepër kërkojmë nga ju që të siguroni përforcimin e kornizës institucionale, që merren me procesin e riintegrimit duke siguruar vazhdimin e përmirësimit të koordinimit me gjithë akterët relevantë, përfshirë organizatat e shoqërisë civile.

Gjithashtu presim që të vazhdoni mbështetjen e gjithanshme të zyrave komunale për kthim dhe komunitete në kryerjen e funksionit të tyre të përgjithshëm, por sidomos sa i përket procesit të riintegrimit.

Është jashtëzakonisht inkurajues fakti që kemi një përkushtim të përbashkët  të të gjitha strukturave dhe organeve të institucioneve të Republikës së Kosovës nga niveli qendror deri në atë lokal. Kemi një unitet të qëndrueshëm funksional dhe efektiv për të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës dhe në këtë proces të ndjeshëm të hapjes së perspektivës së sigurt dhe, realizimit të hapave konkret edhe në raport nga Komisioni Evropian dhe Bashkimi Evropian për Kosovën.

Roli juaj ka qenë krucial, për çka dhe ju falënderoj në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në këtë drejtim, natyrisht kërkohet që të përmirësohet edhe më tutje komunikimi me të riatdhesuarit përmes aktiviteteve vetëdijësuese, por edhe përmes përforcimit të mekanizmave monitorues.

Gjithashtu ky proces kërkon vazhdimin e  bashkëpunimit dhe koordinimit sa më të afërt me nivelin qendror, i cili tanimë është avancuar në masë të madhe.

Duke ju falënderuar për praninë tuaj në këtë takim dhe për angazhimin që keni treguar në procesin e riintegrimit, pres një angazhim i tillë të vazhdojë edhe në të ardhmen, të vihet në pah edhe gjatë zhvillimit të misionit të ekspertëve të BE-së, por edhe vazhdimin e përmbushjes së obligimeve tona për riintegrimin e qytetarëve të riatdhesuar.

Ju faleminderit!

Last modified: 9 Shtator, 2011

Comments are closed.

×