Zyra e Kryeministrit

Demolli: Agim Ramadani ideator dhe udhëheqës në fushëbetejë i fitores më të lavdishme të UÇK-së

11 Prill, 2016

Prishtinë, 11 prill 2016

Organizuar nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u mbajt Akademi Përkujtimore në nderim të rënies heroike të Heroit të Kombit, Agim Ramadani, në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Shqipes”.
 
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, në emër të Qeverisë së Kosovës, para të pranishmëve foli për figurën shumëdimensionale të prijësit dhe heroit të Betejës së Koshares, Agim Ramadani.
 
Demolli tha se është e pamundur të flitet për Betejën e Koshares e mos të veçohet kontributi i jashtëzakonshëm, që kishte dhënë komandanti i Brigadës 138, Heroi i Kombit, Agim Ramadani, në përgatitjen dhe planifikimin e kësaj beteje historike.
 
“Duke qenë një figurë e madhe e artit ushtarak, duke qenë një ushtarak i shkolluar, Heroi i Kombit, Agim Ramadani, gjatë luftës në Kosovë, dëshmoi shkathtësitë e tij ushtarake, shkathtësitë e një strategu të luftës dhe udhëheqësi të dashur për bashkëluftëtarët e tij në njërën anë si dhe të luftëtarit trim e të pa kompromis kundër forcave okupatore serbe, në anën tjetër. Shumë shpejt emri dhe trimëria e tij kishin bërë jehonë të madhe në mesin e luftëtarëve të lirisë, duke u bërë figura që i bashkonte luftëtarët tonë e po ashtu edhe burimi i forcës, guximit dhe heroizmit të luftëtarëve të njësiteve tona”, tha ministri Demolli.
 
Ministri Demolli tha po ashtu se ndërtimi i shtetit të  Kosovës, si një shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik, është plotësimi më i mirë i amanetit të Komandantit Agim Ramadani, i amanetit të Presidentit Historik Ibrahim Rugova, të Komandantit Legjendar Adem Jashari, si dhe të gjithë dëshmorëve e trimave të tjerë të vendit që luftuan për liri.

Para të pranishmëve, Ramadan Musliu nga Instituti Albanologjik, ka folur për veprën letrare të heroit Agim Ramadani, ndërsa në emër të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, të pranishmëve iu është drejtuar Agron Jusufi.

Në emër të familjes, pjesëmarrësit i falënderoi djali i komandant Agimit, Edon Ramadani.
 
“Më lejoni t’iu falënderoj për praninë tuaj në këtë përvjetor të dhembjes dhe krenarisë,  me shprehjen e babit “Kur pushkët bashkohen, edhe krismën e kanë më të fortë”. Le të përdoret ky mesazh për udhëheqjen politike, tani kur Kosova ka nevojë për bashkim të faktorit politik drejt trasimit të lirisë dhe vlerave të realta, të cilat do ta përfaqësonin para botës si vend të paqes, tolerancës dhe unitetit.  Të bashkuar jemi më të fuqishëm, dhe zëri ynë do të ishte më i fortë dhe më i qartë para botës, në ruajtjen e gjakut të derdhur, në mbrojte të Kosovës. Këtë ia keni borxh dëshmorëve, ua keni borxh gjeneratave të reja të cilët meritojnë një jetë më të mirë”, tha Edon Ramadani.
 
Fjala e plotë e ministrit Haki Demolli në akademi.
 
E nderuara Familje e Heroit Agim Ramadani,
 
E nderuara familje e Presidentit Historik Ibrahim Rugova,
 
Të nderuar veteranë të UÇK-së dhe familje të dëshmorëve,
 
Të nderuar veteranë të Brigadës 138 Agim Ramadani
 
Të nderuar ministra, deputetë të Kuvendit të Kosovës, liderë partiakë
 
Udhëheqës të Institucioneve shtetërore qendrore dhe lokale
 
Të nderuar mysafirë,
 
Të nderuar të pranishëm të tjerë.

 
Është nder i veçantë për mua, që kryeministri i Kosovës akademik Isa Mustafa, më ka besuar që të kem fjalën e rastit në këtë akademi përkujtimore, kushtuar komandantit tonë legjendar Agim Ramadanit, kushtuar kujtimit dhe nderimit të të rënëve në Betejën e Koshares, kushtuar Brigadës 138 të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, si dhe Betejës së Koshares në tërësi. Sepse, bëhet fjalë për një Betejë të veçantë dhe për një strateg ushtarak të veçantë.
 
Pra, bëhet fjalë për operacionin ushtarak me karakter historik, që u zhvillua nga një brigadë e trimave shqiptarë, e cila po i drejtohej me kapacitetet e veta ushtarake rrënimit të kufirit shtetëror, i cili i ndante me dekada të tëra padrejtësisht shqiptarët në dy shtete të veçanta.
 
Pra, bëhet fjalë për Betejën më të lavdishme të zhvilluar ndonjëherë në trojet shqiptare, e cila përveç karakterit dhe rëndësisë operativo-ushtarake, kishte rëndësi edhe më të madhe në planin strategjik e sidomos në atë politik.
 
Është e pamundur të flitet për Betejën e Koshares e mos të veçohet kontributi i jashtëzakonshëm, që kishte dhënë komandanti i Brigadës 138, heroi i kombit Agim Ramadani, në përgatitjen dhe planifikimin e kësaj beteje historike.
 
Komandanti Agim Ramadani, jo vetëm që udhëhoqi me përgatitjen, planifikimin dhe organizimin e Betejës së Koshares, por ai drejtoi dhe komandoi në fushëbetejë me operacionin ushtarak i cili filloi me 9 prill të vitit 1999, e që u kurorëzua me fitoren më të madhe dhe më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 
Ishte ky triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, që për epilog kishte rrënimin njëherë e përgjithmonë të kufirit gati shekullor që ishte bërë si një “mur kinez” për ndarjen politike, ekonomike, arsimore, kulturore, pra thjesht për ndarjen fizike dhe shpirtërore të shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Madje komandanti Agim Ramadani, ishte i pari prej të parëve që personalisht shkuli gurin-piramidën-kufitare në Kosharen legjendare.
 
Por, çka e bënte të veçantë komandantin Agim Ramadani?
 
Komandantin e karakterizonin dija dhe inteligjenca, pastaj atdhedashuria, mençuria, trimëria, bujaria, sinqeriteti, solidariteti, afërsia me miq, familjarë, dhe bashkëluftëtarë, pra thjesht në trupin dhe personalitetin e Agim Ramadanit ishin të koncentruara të gjitha virtytet më të çmueshme njerëzore.
 
Këto virtyte, e bënë që komandanti Agim Ramadani t’i përgjigjej thirrjes për çlirimin e atdheut, menjëherë pas rënies heroike të Familjes Jashari dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari, duke vlerësuar, se kishte ardhur koha për të kapur armët në duar, për çlirimin njëherë e përgjithmonë të Kosovës së robëruar, duke konsideruar luftën, si mjetin e vetëm për zgjidhjen e çështjes tonë kombëtare. Jo vetëm kaq, ai konsideronte se lufta kundër armikut shekullor, do të ishte më e suksesshme dhe vendi do të çlirohej më shpejt, po që se drejtohej nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës. Pikërisht një koncept i këtillë politiko-ushtarak, e dërgoi komandantin në radhët e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës për të përmbushur obligimin e tij kombëtar dhe patriotik. Dhe vërtetë Agimi, ndonëse e kishte të rregulluar statusin e qëndrimit në Zvicër, në vitin 1998 iu përgjigj thirrjes së atdheut, duke lënë në shtetin Helvetik gruan me tre fëmijë dhe iu bashkëngjit luftëtarëve të lirisë.
 
Duke qenë një figurë e madhe e artit ushtarak, duke qenë një ushtarak i shkolluar, Heroi i Kombit, Agim Ramadani gjatë luftës në Kosovë, dëshmoi shkathtësitë e tij ushtarake, shkathtësitë e një strategu të luftës dhe udhëheqësi të dashur për bashkëluftëtarët e tij në njërën anë si dhe të luftëtarit trim e të pa kompromis kundër forcave okupatore serbe, në anën tjetër.
 
Shumë shpejt emri dhe trimëria e tij kishin bërë jehonë të madhe në mesin e luftëtarëve të lirisë, duke u bërë figura që i bashkonte luftëtarët tonë e po ashtu edhe burimi i forcës, guximit dhe heroizmit të luftëtarëve të njësiteve tona.
 
Të gjitha këto virtyte të komandantit, tregojnë se ai ishte njeri i ideve dhe aksionit, ishte komandant dhe hero në kuptimin e plotë të fjalës, njeri me nderin më të lartë ushtarak, ishte shembull për bashkëluftëtar, i cili gjithmonë qëndronte në ballë të brigadës dhe ishte luftëtari i vijës së parë të luftës.
 
Të nderuar të pranishëm,
 
Heroi ynë, nuk njihej vetëm si një oficer ushtarak i shkolluar, por ai shquhej edhe me veprimtarinë e tij letrare, artistike dhe publicistike, si rezultat i të cilës ia kishte dalë që të bëhej anëtar i Akademisë Evropiane të Piktorëve.
 
Njohuritë e tij të ushtarakut dhe të sferave të tjera të jetës, komandanti i përdori për përgatitjen e ushtarëve të lirisë për ditën e sulmit, për fitoren dhe lavdinë që i priste, si dhe për efektin psikologjik dhe politiko-strategjik që do të ketë thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar. Kurse personalisht, ishte i gatshëm që të jepte gjithçka nga vetja e tij, përfshirë këtu edhe trupin dhe jetën e tij, vetëm e vetëm që aksioni ushtarak në Koshare të përfundonte me sukses dhe që të çlirohej përfundimisht atdheu.
 
Gatishmërinë e tij për sakrificë, komandanti e thekson edhe në veprën e tij poetike me titull “Një jetë tjetër” e cila përmban vargjet e tij poetike, që i kishte shkruar pak kohë para se të fillonte Beteja e Koshares, pra vetëm disa ditë para se të binte në altarin e lirisë, kur edhe e siguron “pavdekësinë” e tij. Në vargjet e tij, të cilat janë sa poetike aq edhe mallëngjyese, komandant Agimi na e bënë me dije se në vazhdimësi ëndërronte për lirinë e atdheut, duke shfaqur gatishmërinë për sakrificë deri në derdhjen e pikës së fundit të gjakut të tij, vetëm e vetëm që të realizohet një qëllim i tillë. Madje, ai në këto vargje thekson, se do të mallkonte edhe gjakun e tij, po që se do të vdiste pa luftuar për çlirimin e atdheut.
 
Dhe vërtetë ashtu siç e kishte shkruar dhe parandier në vargjet e tij testament, zhvillimet e luftës dhe Beteja e Koshares ato do t’i bënin realitet. Ky betim dhe kjo dëshirë e Komandantit u jetësua me 11 prill të vitit 1999, pra vetëm dy ditë pas thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar, kur ra heroikisht te vendi i quajtur “Rrasa e Zogut” në pjesën e Kosovës.
 
Agimi ra për të mos vdekur kurrë. Sepse gjaku i tij dhe i të gjithë të rënëve të tjerë të kombit, është derdhur për lirinë e atdheut, kurse liria dhe sakrifica kombëtare nuk vdesin dhe nuk do të harrohen kurrë. Ai luftën nuk e bëri i vetëm, luftën e bëri me shokë të cilët i çmonte më shumë se veten. Me shokë si Sali Çekajn, Xhemajl Fetahajn, Abaz Thaçin dhe 113 dëshmorë të tjerë të “Brigadës 138 Agim Ramadani” si dhe shumë e shumë dëshmorë të tjerë të kombit anekënd Kosovës, që do t’i nderojë dhe kujtojë populli ynë përjetësisht.
 
Sakrifica dhe rënia heroike e Komandantit Agim Ramadani dhe të gjithë heronjve tjerë të kombit, për të gjithë ne të gjallët paraqet një obligim, jo vetëm që të respektojmë dhe përkujtojmë përjetë gjakun dhe heroizmin e tyre, por edhe obligim që të punojmë me nder e përkushtim në krijimin dhe ndërtimin e shtetit tonë, i cili do të angazhohet dhe përkujdeset për ngritjen e mirëqenies së familjeve të dëshmorëve, veteranëve të luftës dhe të gjithë qytetarëve tonë.
 
Pra, shoqëria kosovare dhe klasa e saj politike, e ka për obligim ndërtimin e një shteti ku sundon ligji, shtet i cili iu ofron qytetarëve e në veçanti të rinjve kosovarë një perspektivë të ndritshme ekonomike, sociale, arsimore, kulturore si dhe mirëqenie të tërësishme. Shtet i cili në vazhdën e angazhimit për konsolidimin e organeve të veta më vitale shtetërore, do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore dhe kushtetuese për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës. Shtet i cili do të përmbush kriteret dhe standardet për t’u anëtarësuar dhe integruar si në Unionin Evropian ashtu edhe në Aleancën Veri Atlantike të NATO-s, si dhe organizmat tjerë relevantë ndërkombëtar, aty ku do të bashkëpunojmë dhe veprojmë me aleatët dhe fqinjët tanë. Shtet i cili përjetësisht do të jetë mirënjohës për të gjithë ata që ranë për liri, për të gjithë ata që sakrifikuan gjakun dhe mundin për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës.
 
Pikërisht ndërtimi i shtetit të tillë të Kosovës, si një shtet i lirë i pavarur dhe demokratik, është plotësimi më i mirë i amanetit të Komandantit Agim Ramadani, i amanetit të Presidentit Historik Ibrahim Rugova, të Komandantit Legjendar Adem Jashari, si dhe të gjithë dëshmorëve e trimave të tjerë të vendit që luftuan për liri.
 
Lavdi të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e atdheut.
Lavdi dhe respekt për familjet e tyre.
Lavdi dëshmorëve të Betejës së Koshares.
Lavdi pjesëmarrësve të Betejës së Koshares.
Lavdi komandantit Agim Ramadani.

Last modified: 11 Prill, 2016

Comments are closed.

×