Zyra e Kryeministrit

Deklaratë e Këshillit të Sigurisë së Kosovës

9 Janar, 2016

Prishtinë, 9 janar 2016

Këshilli i Sigurisë i Kosovës dënon fuqishëm eskalimin në dhunë të protestës së organizuar nga partitë opozitare në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Duke e njohur dhe respektuar të drejtën për protestë paqësore, Këshilli i Sigurisë i Kosovës fton organizatorët e saj të ushtrojnë përgjegjësinë që u takon për t’i larguar nga rrugët e kryeqytetit të Kosovës, të gjithë protestuesit e dhunshëm.

Këshilli i Sigurisë kërkon nga partitë opozitare të heqin dorë nga ky skenar për përdorimin e dhunës dhe mjeteve të rrezikshme, për rrënimin e rendit institucional e kushtetues të Kosovës.

Është për keqardhje, që duke arsyetuar veprimin e protestuesve të dhunshëm, organizatorët e protestës, në mënyrë të qartë po marrin përsipër sulmet ndaj institucioneve të shtetit dhe sfidimin e Policisë së Kosovës në kryerjen e detyrës zyrtare për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike.

Këshilli i Sigurisë i Kosovës kërkon nga organizatorët e protestës që të bashkëpunojnë me organet e shtetit për t’i vënë përpara drejtësisë përgjegjësit për pasojat e protestës, nga e cila janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, disa protestues, por edhe disa qytetarë, kalimtarë të rastit. Është përgjegjësi e organizatorëve të protestës lëndimi i njerëzve dhe dëmi material në pronat publike dhe private.

Këshilli i Sigurisë i Kosovës u jep mbështetje të plotë institucioneve kompetente të rendit dhe ligjit në Kosovë për menaxhimin e situatës së krijuar dhe për ruajtjen e institucioneve të shtetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Këshilli i Sigurisë i Kosovës kërkon nga organet e rendit dhe të ligjit, që konform ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të marrin të gjitha masat për hetimin e plotë të ngjarjeve të sotme dhe vënien e përgjegjësve përpara drejtësisë. 

Last modified: 9 Janar, 2016

Comments are closed.

×