Zyra e Kryeministrit

Adresimi i Kryeministrit Kurti në ceremoninë e përmbylljes së projektit të grantit nga BE

20 Tetor, 2022

Prishtinë, 20 tetor 2022

Kryeministrit i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar rezultatet e projektit të grantit nga Bashkimit Evropian që qëllim kishte nxitjen e punësimit të grupeve të pafavorizuara dhe rritjen e konkurrencës globale të industrisë së instalimeve elektrike në Kosovë në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës social.

Në ceremoninë e përmbylljes së projektit u theksua se me ndihmën e këtij projekti është investuar edhe në themelimin e fabrikës së parë në Kosovë për prodhimin e granulatit, që shërben si lëndë e parë për prodhimin e të gjitha produkteve me bazë PVC.

Si rezultat i projektit të grantit, janë trajnuar 130 persona nga të gjitha komunitetet në fushën e instalimeve elektrike, ku pjesëmarrësit kishin mundësi të mësojnë teori dhe praktikë nga lëmia e instalimeve elektrike. Kësisoj tregu i instalimeve elektrike ka përfituar fuqi punëtore aktive të gatshëm për punë.

Adresimi i Kryeministrit Kurti, i lexuar në këtë ceremoni:

Të nderuar të pranishëm,

Para luftës e kam përcjell studentin Fatos Dida duke u ngritur profesionalisht në Fakultetin e Elektroteknikës. Pas luftës e kam parë kompaninë “Proton Cable” duke u rritur si biznes në ekonominë prodhuese të Kosovës. Fatosi është shembull i ndërmarrësit vendës, që punën dhe pasionin i bën bashkë. “Proton Cable” është rrëfim suksesi për tregun e brendshëm dhe eksportet e Kosovës.

Kjo kompani i ka lidhur ngushtë trajnimin dhe punën, cilësinë me standarde evropiane dhe çmimet konkurruese në treg e të përballueshme për konsumatorë. Nuk ka qenë e lehtë rruga e Fatosit: shumë vështirësi e pengesa, shumë ankth e stres. Fatosi është dëshmi që brenga të mëdha kolektive shndërrohen në probleme shëndetësore e personale të zemrës, dhe se ndërmarrësit tanë kanë edhe më shumë stres se politikanët te ne. U pata mërzitur shumë Fatos kur ishe në spital e u operove, dhe u gëzova shumë kur dole me sukses, e gëzohem edhe sot që je shëndosh e mirë dhe që punon mbarë e mirë. Por, delego më shumë punë miku im Fatos sepse i duhesh shoqërisë dhe ekonomisë edhe shumë gjatë. Më fal që nuk munda të vij sot, por të premtoj që do të të vizitoj së shpejti.

Për fund, të falemnderit që e ke afirmuar Protonin si grimcë përbërëse e atomit, sepse historikisht Elektroni ia ka bërë të padrejtë.

Të fala e urime, Albin Kurti

 

Last modified: 22 Tetor, 2022

Comments are closed.

×