Zyra e Kryeministrit

Adresimi i Kryeministrit Albin Kurti në seancën e parë plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës

2 Prill, 2021

Prishtinë, 2 prill 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri adresimin e parë, në seancën e parë plenare pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Më poshtë fjalimi i plotë i Kryeministrit, Albin Kurti:

Faleminderit kryetar Konjufca,
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë të Republikës,
Të nderuar ministra të kabinetit qeverisës,
Zëvendëskryeministra,

Jemi në kontekstin politik dhe institucional kur sot kemi një vendim shumë të rëndësishëm bashkërisht e ky është konstituimi i Komisioneve Parlamentare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në legjislaturën e tetë të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ne nëpër ministritë e linjave jemi duke e skanuar gjendjen që e kemi gjetur dhe në përputhje me këtë regjistrim, këtë evidentim të trashëgimisë që kemi hasur në kuptimin institucional politik dhe administrativ do ta përpilojmë edhe programin tonë qeverisës dhe planin e punës, natyrisht duke pasur për prioritet zotimet tona dhe vizionin e shpalosur gjatë fushatës elektorale dhe jo vetëm.

Pra rendi edhe logjik dhe kronologjik i gjërave e do që fillimisht ta bëjmë një skanim të tillë dhe gjithashtu edhe ta bëjmë zgjedhjen e presidentes së Republikës së Kosovës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, meqenëse e dimë se ky është një vit kur e kemi edhe qeverinë e re edhe presidenten e re. Andaj konsiderojmë që është e udhës që ta kemi zgjedhjen e Presidentes e më pastaj edhe programin qeverisës dhe planin e punës.

Po të ishte ndonjë vit tjetër, nuk do të kishte nevojë të ishte kësisoj, mirëpo tash jemi të bindur që kjo është rruga më e mirë dhe më e duhur përpara.

Në anën tjetër, në zgjedhjet e vitit 2019 certifikimi i rezultateve u pat vonuar 53 ditë. Kësaj radhe ka qenë përafërsisht gjysma e asaj periudhe, 27 ditë dhe përderisa ne herën e kaluar kemi pasur bisedime 4 mujore për koalicionin qeverisës, e nganjëherë në të kaluarën kanë shkuar edhe deri në 6 muaj, kësaj radhe 9 ditë pas certifikimit të rezultateve e kemi votuar Qeverinë e Republikës së Kosovës, si hap i dytë pas hapit të parë që ishte zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe Kryesisë së Kuvendit.

Pra jemi më shpejtë se çdo herë më herët.

Sa i përket vaksinës, po të ishte vaksina Pfizer ose Moderna unë nuk do të shkoja ta marr. Vetëm për shkak se ka qenë AstraZeneca e cila ka një reputacion të lënduar sot në botë jo vetëm në rajonin tonë, kam konsideruar që është e udhës që ta marrë i pari vaksinën Astra Zeneca, dhe kurrfarë synimi tjetër për të privilegjuar veten, apo për të qenë thjeshtë i pari nuk ka pasur. Një brend tjetër i vaksinës kundër COVID 19, mua nuk do më bënte marrës të parë të vaksinës.

Ndërkaq, sa u përket çështjeve që u ngritën edhe për menaxhimin e pandemisë në njërën anë, marrjes së vaksinave sidomos, edhe të çështjes së mundësisë së shtrenjtimit të energjisë elektrike ku kemi paradoksin që liberalizimi i tregut rrezikon të na e shtrenjtojë energjinë elektrike në vend se të na e lirojë atë, do të flasin ministrat përkatës, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Unë, edhe njëherë ju dëshiroj punë të mbarë, sepse me konstituimin e Komisioneve Parlamentare fillon puna përmbajtjesore e Kuvendit të Republikës dhe ju falënderoj të gjithëve për vërejtjet, sugjerimet e kritikat.

Last modified: 2 Prill, 2021

Comments are closed.

×