“Kemi bërë rrugë sfiduese, rrugë të mundimshme, por kemi dëshmuar që dimë t’i përfundojmë rrugët e vendit. Tani na është dhënë besimi dhe duhet t’i kryejmë punët e Kosovës”.
Si Kryeministër i vendit, po i kryej punët e atdheut dhe kjo është mënyra më e mirë për t’i ndihmuar të gjithë. Është punë voluminoze, vërtetë ka shumë punë. Një pjesë e temave të prishura, të kontaminuar, e dyfishojnë përpjekjen, por mendoj se e kemi kthyer edhe një herë substancën. I kemi ikur anës sipërfaqësore dhe jemi future në përmbajtje. Kjo do vëmendje të madhe dhe përqendrim të madh. Marrja e përgjegjësive në këtë kohë sado e vështirë, mendoj se do të çmohet edhe në histori.
Jemi duke shqyrtuar të gjitha masat që mund të ndërmerren për shpëtimin PTK-së nga bankroti. PTK aktualisht është duke operuar me vështirësi. Telekomi është menaxhuar gabim ndër vite, dhe kemi ardhur në një situatë të rëndë ku kjo kompani është drejt bankrotimit. Ne nuk dëshirojmë të lejojmë që kjo kompani të bankrotojë. Ndalimi i shpenzimeve të tepërta, ndalimi i abuzimeve dhe ulja e pagave janë disa elemente të nevojshme. Kemi pasur një propozim për uljen e pagave prej 40% mirëpo ajo mund të jetë edhe 20%. Është një element, jo i vetmi, mirëpo që të shpëtojmë Telekomin si kompani është e nevojshme ulja e pagave.
Ndërmarrja e këtyre masave është e nevojshme gjithashtu edhe për tërheqjen e investitorëve të huaj.
Jam I kënaqur me punën e ministrave dhe zëvendësministrave dhe të gjithë po punojnë në sektorët e tyre. Puna brenda qeverisë është korrekte, s’kam probleme me asnjë nga ministrat, përveç Listës Serbe që kam një marrëdhënie tjetër.
Angazhimi i Berlinit të mbështetur nga Uashingtoni është i nevojshëm në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në fazën finale të tij. E mirëpres angazhimin e Berlinit zyrtar dhe e di që ky angazhim është vërtet direkt i përkrahur prej Uashingtonit. Këto dy energji vijnë për ta përkrahur Brukselin dhe është lajm i mirë që kemi një mobilizim të këtij niveli.
Jam optimist për arritjen e një konsensusi politik të brendshëm në lidhje me dialogun me Serbinë.
Këto dhe cështje të tjera, i kemi diskutuar në Intervistën e plotë në Zona B me Baton Haxhiu
Last modified: 7 Maj, 2018