Prishtinë, 10 prill 2013
Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri u takua me zëvendëssekretarin e Shtetit të ministrisë së Punëve të Jashtme të Hungarisë njëherësh drejtor politik, z. Péter Sztáray, i cili ishte i shoqëruar edhe nga z. Krisztián Pósa, drejtor për Ballkanin në MPJ-në e Hungarisë, ambasadori i Hungarisë në Kosovë z. Lóránt Balla si dhe z. István Sipos, zëvendësambasador.
Fillimisht zëvendëskryeministrja Tahiri falënderoi shtetin hungarez për përkrahjen e vazhdueshme që po jep për Kosovën përmes bashkëpunimit bilateral dhe multilateral, si dhe u çmua lartë angazhimi i Hungarisë në radhët e KFOR-it dhe EULEX-it në Kosovë.
Në takim u bisedua për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke u fokusuar në fushën ekonomike si dhe sferat tjera të interesit të ndërsjellë. Po ashtu u diskutua edhe për përfundimin e marrëveshjeve bilaterale dhe mundësitë për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja për bashkëpunim në fusha me interes të përbashkët.
Zëvendëskryeministrja Tahiri gjithashtu i njoftoi diplomatët hungarez për progresin e arritur në Kosovë dhe reformat që po ndërmerr Qeveria e Kosovës për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit tonë.
“Vizioni i Qeverisë së Kosovës për një Kosovë euroatlantike po bëhet realitet çdo ditë e më shumë”, theksoi zëvendëskryeministrja Tahiri, duke vlerësuar rëndësinë dhe bashkëpunimin, si dhe këmbimin e përvojave me Hungarinë për realizimin e këtyre qëllimeve.
Më tutje, zëvendëskryeministrja Tahiri theksoi se shteti i Kosovës është i përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal duke shprehur bindjen se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë do të përfundojë pozitivisht, në të mirë të paqes dhe stabilitetit në ketë pjesë të Evropës.
“Ky dialog duhet të përfundojë me njohje reciproke mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, duhet hapur një kapitull paqeje”, u shpreh zëvendëskryeministrja Tahiri.
Nga ana tjetër zëvendëssekretari i Shtetit hungarez e falënderoi zëvendëskryeministren Tahiri për pritjen e bërë, si dhe shprehu gatishmërinë e Hungarisë për të rritur më tej bashkëpunimin mes dy vendeve. Ai vlerësoi lartë përparimet e gjithanshme në Kosovë dhe rolin konstruktiv të Kosovës gjatë procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke rikonfirmuar mbështetjen e Hungarisë për perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.
Last modified: 10 Prill, 2013