Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri: Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për dialog teknik. Kemi qenë konstruktiv dhe serioz, për të kontribuar që dialogu të jetë frytdhënës

31 Janar, 2012

Prishtinë, 31 janar 2012

Zëvendëskryeministrja dhe kryesuese e delegacionit të Kosovës për dialog teknik,  znj. Edita Tahiri është takuar sot me ndërmjetësin e BE-së, z. Robert Cooper .

Pas takimit znj. Edita Tahiri ka mbajtur një konferencë shtypi me ç rast ka dhënë qëndrimet e delegacionit të Kosovës lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal, për protokollin teknik të IBM-it dhe proceset e zbatimit të marrëveshjeve të arritura.

Në vazhdim po japim të plot konferencën për shtyp të Zëvendëskryeministres dhe kryesuese e delegacionit të Kosovës për dialog me Beogradin znj. Edita Tahiri :

Për sa i takon bashkëpunimit rajonal qëndrimet janë shumë larg mes palëve. Pozicioni jonë është i qartë, se Kosova është shtet i pavarur dhe Sovran dhe duhet të përfaqësohet si shtet i pavarur si gjithë shtete tjera rajonale, me autoritetet e saja, me simbolet shtetërore dhe duhet të jetë nënshkruese e marrëveshjeve rajonale, si dhe duhet të merret parasysh realiteti se Kosova si shtet i pavarur është i njohur nga shumica e vendeve të rajonit por edhe të BE-së, për të shtuar se sot Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht nga pjesa më e fuqishme e botës, që nga SHBA-ja, shtete kryesore të BE-së, të G-20-es, rajonit, etj.

Qëndrimi i palës serbe mbetet i njëjtë, pra që insistojnë në rezolutën 1244, për neve vijë e kuqe është që nuk pranojmë asnjë referencë bazuar në rezolutën 1244.

Për sa i takon çështjes së protokollit teknik të IBM-it, unë kërkova nga z. Cooper që protokolli teknik të përfundojë dhe të nënshkruhet më së largu më 10 shkurt, si dhe të nesërmen të filloj procesi i zbatimit të marrëveshjes për IBM, dhe arsye pse kërkova këtë shpejtësi, ndërlidhet me faktin se në fund të muajit shkurt, Këshilli i Ministrave të BE-së,  do të takohet, dhe me rastin e rishqyrtimit të kërkesës së Serbisë për statusin e kandidatit, Këshilli i Ministrave duhet të shoh praktikisht se të dyja shtetet kanë filluar ta zbatojnë marrëveshjen e IBM-it.

Por në anën tjetër kërkova që edhe të gjitha marrëveshjet tjera të zbatohen plotësisht, dhe në veçanti theksova se marrëveshja e lëvizjes së lirë dhe tregtisë së lirë nuk po zbatohet plotësisht nga ana e Serbisë, por vetëm pjesërisht, për faktin se ekzistojnë barrikadat dhe strukturat paralele, kushtet që Këshilli Evropian i ka bërë Serbisë në rrugën drejt Evropës duhet të plotësohen, me fjalë të tjera, Serbia duhet të tërheq ndërhyrjen e saj në punët e brendshme të Republikës së Kosovës dhe praktikisht, duhet të zhbëjë strukturat paralele.

Çështje tjetër e diskutimit ishte që të intensifikohen përgatitjet për takimin e radhës, nuk caktuam ndonjë datë, por varësisht nga asa do të afrohen qëndrimet e palëve, mund të ndodh edhe raundi i ardhshëm.

Më duhet t’iu jap disa sqarime shtesë, sepse ka pas një debat javën e kaluar, lidhur me qëndrimet e Republikës së Kosovës për çështjen e bashkëpunimeve rajonale.

Qeveria e Republikës së Kosovës, dhe as unë si kryenegociatore, nuk kemi bërë asnjë lloj tërheqje as nga Republika, as nga asnjë pozicion që lidhet me vijat e kuqe të Republikës së Kosovës në këtë dialog teknik.

Ajo që ka ndodh është që disa titujë të mediave e kanë bërë këtë, ata e kanë bërë këtë tërheqje të Republikës.
 
Duke qenë se çështja e dialogut teknik është e ndjeshme dhe shumë komplekse, unë mendoj se kultura mediale dhe e komunikimit nuk nënkupton analiza të titujve.

Zakonisht është mirë të lexohen mirë citatet e komunikatave, intervistave, artikujve, sepse aty gjendet realiteti i deklaratave, ndërsa  pjesa tjetër është zakonisht pjesë e redaktimeve politike.

Porosia ime është që shteti i Kosovës është i të gjithëve, dhe të gjithë duhet të punojmë për interesat nacional, andaj reflektimi i drejtë i qëndrimeve të institucioneve, është në interes të shtetit tonë dhe të kombit tonë.

Po ashtu si kryenegociatore duhet të them se jam në këto negociata me bagazhin tim historik, kombëtar dhe politik. Prandaj po ju siguroj se në asnjë rast, në asnjë rrethanë nuk do të ketë tërheqje, sepse fundja, Republika e Kosovës ka lindur nga lufta e gjatë dhe me shumë sakrifica e shumë brezave të shqiptarëve, prandaj me njohjet që ka nga 86 shtete, dhe me njohjet që do t’i ketë në të ardhmen, do të konsolidojmë shtetin në planin ndërkombëtarë.

Dhe kësaj duhet t’i shtoj faktin se ne kemi hyrë sivjet në fazën e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare tëe pavarësisë së Kosovës, sot kishim edhe rezolutën e Kuvendit për këtë qëllim, prandaj është një fazë e re e konsolidimit të shtetit tonë  në planin ndërkombëtarë por edhe të reformave evropiane në planin vendorë, dhe mund t’iu them se ky rezultat i pavarësisë së Kosovës, as nuk ka qenë i lehtë e as pa sakrifica, por ka qenë një rrugë shumë e gjatë me shumë rreziqe dhe është vullnet i popullit të Kosovës.

Ne si Qeveri e Republikës së Kosovës, por edhe gjithë institucionet, kemi obligim ta përparojmë tutje vullnetin për Republikën e Kosovës.

Dhe për fund më duhet të komentoj grafitet e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ne nuk kemi bërë tërheqje nga Republika, por si duket  Vetëvendosje ka bërë tërheqje nga opsioni i saj për bashkim.

Kim Radio: A keni nënshkruar marrëveshje për heqjen e barrikadave?

ZVKM- Tahiri: E para, marrëveshja për lëvizjen e lirë por edhe tregtinë e lirë bazohet në parimet themelore të BE-së. Në katër parime, lëvizja e qytetarëve, mallrave, ideve dhe kapitaleve.

Çdo shtet aspirant për BE e kupton mirë çdo të thotë lëvizja e lirë.

Jam e bindur që këtë Serbia e ka parasysh. Për çdo shtet integrimi në BE nënkupton dy kushte, politikat e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal. Jam e bindur se Këshilli Evropian kushtet i a  ka bërë të qartë  Serbisë, do të vazhdojë të bashkëpunoj me Serbinë nëse do të ketë bashkëpunime të mirë me Kosovën.

Zëri: A ka një kufi sa do të presim? Si do të dilet nga kjo situatë?

ZVKM- Tahiri: Dialogu teknik është proces ndërkombëtarë, zhvillohet mes dy shteteve por kemi edhe palën e tretë që është garantuese. Ne si qeveri jemi të përkushtuar për të dhënë kontribut për dialogun teknik dhe për të gjetur zgjidhje, si një mundësi shtesë drejt BE-së. Prandaj, ne mbetemi të përkushtuar, është e palës së tretë dhe ndërmjetësit evropian të vlerësoj për vendime të caktuara.

Reuters: Cila ishte oferta e Beogradit? Çka do të shkruhet në fusnotë?

ZVKM- Tahiri: Nuk mund të flas për detaje sepse qëndrimet janë shumë larg. Mund t’u them se madje dikush nga mediet e shpalli  marrëveshjen e arritur. Ndoshta ata din më shumë.

Koha Ditore: A do të vazhdoni me takime , nëse nuk arrihet kjo marrëveshje? Dhe ju keni deklaruar se keni heq dorë nga Republika?

ZVKM- Tahiri: Ftoj të gjithë gazetarët le t’i lexojnë citatet e mia dhe interpretimet apo redaktimet politike të gazetës që përfaqëson Arbeni. Do të shihni se në citatet e mija nuk ka tërheqje nga Republika, por redaktimet politike dhe titujtë kanë bërë tërheqje nga Republika. Unë kam thënë se në  bashkëpunimet rajonale do të përdoret modeli i Maqedonisë, por as Maqedonia nuk ka hequr dorë nga Republika edhepse ka pranuar fusnotën si zgjidhje kalimtare derisa të zgjidhet kontesti i emrit.

Jo 20 vjet, por 100 vjet po luftojmë për liri e vetëvendosje, nuk ka asnjë faktor asnjë kusht që do të mund të bëjë që ky proces historik të ketë një kahje të padëshirueshme. Ne ,veçmas liderët që jemi sot në Qeveri, jemi liderë të luftës për pavarësi, prandaj çdo çështje që bëhet, duhet të bëhet bashkë dhe për interesa nacionale.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për dialog teknik, kemi qenë konstruktiv dhe serioz, për të kontribuar që dialogu të jetë frytdhënës.

Besoj që edhe ju do të keni durim të mjaftueshëm, për komunikime mediale kur kemi rezultate konkrete. Në këtë fazë qëndrimet janë shumë larg. Për ne vijë e kuqe është se nuk mund të ketë marrëveshje bazuar në Rezolutën 1244.

Top Channel: Si do të funksionojë modeli i Maqedonisë? Më shumë detaje për protokollin teknik me IBM-në?

ZVKM- Tahiri: Modeli i Maqedonisë ka të bëjë me përdorimin e fusnotës, për sa i takon fusnotës, do të përdoret një realitet rajonal. Mirëpo as  Maqedonia nuk ka heq dorë nga Republika, Republika e Maqedonisë ekziston por fusnota shpjeguese tregon një realitet.

Ajo që më duhet të jap si porosi sot është: Kujdes me këtë proces të ndjeshëm. Kontribuoni duke bërë komunikime, analiza mediale, dhe përçoni saktë proceset. Mendoj se kjo lidhet me interesat nacionale për të cilin çdo qytetar i Kosovës ka obligim të kontribuoj. John Kennedy thotë “mos pyet çfarë bën shteti për ty, por çfarë bënë ti për shtetin tënd”

Në këtë fazë, Cooper po merr propozimet e dy palëve, edhe sot u konstatua se kemi qëndrime shumë të largëta. Por se çfarë do të ndodh në ditët në vijim, mbetet të shihet.

Protokolli teknik do të jetë i ngjashëm sikur i modelit të Muriçanit, me fjalë të tjera, protokollit teknik mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, sepse edhe marrëveshja e IBM-it e arritur mes Kosovës dhe Serbisë,  ndjek konceptin e njëjtë të ndërtimit të ndërtesave të përbashkëta në gjashtë vendkalimet kufitare, dhe procedurat e njëjta që definohen. Pra, e tëra bëhet mbi traktatin e Lisbonës dhe ligjeve të BE-së për Menaxhimin e Integruar të Kufijve.

Zëri: Sa është e drejtë të merret si shembull Maqedonia, kur dihet se problemi te Maqedonia është vetëm emri dhe nuk i është vu në pikëpyetje sovraniteti territorial, ndërkohë që Kosovës pikërisht kjo i vihet në pikëpyetje?

ZVKM- Tahiri: Në praktikat ndërkombëtare mjafton të kesh një mospajtim, atëherë duhet të gjendet një zgjidhje e përkohshme. Sa do që ndryshojnë mospajtimet mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete fqinje, ka mospajtime edhe mes Maqedonisë dhe Greqisë, andaj është gjetë një formulë kalimtare.

Mirëpo ajo që unë ju garantoj është se marrëveshja për bashkëpunim rajonal bëhet e pranueshme për ne vetëm me këto kushte, që Kosova të përfaqësohet si shtet i pavarur dhe sovran, institucionet e Kosovës të përfaqësohen në bashkëpunime rajonale, dhe të nënshkruajnë vetë, për dallim nga e kaluara që këto i ka bërë në pjesën më të madhe UNMIK-u me rezolutën 1244. Prandaj nuk pranojmë çfarëdo reference në Rezolutën 1244.

Klan Kosova: Po thoni se për marrëveshje, duhet bërë edhe sakrifica. Nga çka do të hiqni dorë, për pajtim me serbët?

ZVKM- Tahiri: Ne jemi realist dhe kërkojmë marrëveshje që korrespondojnë me realitetin. Rezoluta 1244 është e tejkaluar si në kuptimin juridik ashtu edhe në kuptimin politik.

Serbia nuk ka të drejtë juridike të thirret në rezolutën 1244 sepse është miratuar në 1999 kur nuk ka ekzistuar Serbia si shtet. Në ato kohë ka ekzistuar një shtet tjetër, i cili është zhbërë dhe prej tij kanë lind Mali i Zi dhe Serbia.

Prandaj, juridikisht Serbia nuk është trashëgimtare e atij shteti, dhe nuk ka të drejt juridike të thirret në atë rezolutë.

Këto janë argumentet tona pse ne themi që marrëveshja duhet të korrespondojë me realitetin e lindjes së shtatë shteteve të reja nga ish-Jugosllavia.

Vizion plus: Për sa i përket polisës së sigurimit, sidomos për shqiptarët e Luginës së Preshevës?

ZVKM- Tahiri: Unë i shtrova të gjitha çështjet lidhur me marrëveshjet e arritura, sigurisht që kam kërkuar edhe heqjen e tarifave sa më shpejt.

z. Cooper më premtoi se shumë shpejt do të ftoj në një takim ekspertët e kompanive të sigurimeve të të dyja shteteve dhe BE-ja do të jetë lehtësuese, në mënyrë që të ecim drejt një marrëveshje komerciale dhe të hiqen tarifat.

Me fjalë të tjera, t’iu mundësohet qytetarëve që me polisat vjetore të sigurimeve të udhëtojnë në këto dy shtete.

Last modified: 31 Janar, 2012

Comments are closed.