Prishtinë, 31 mars 2013
Në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) dhe Protokollit Teknik, zëvendëskryeministrja njëherit udhëheqësja e dialogut teknik znj. Edita Tahiri e shoqëruar nga ekipi i ekspertëve ka qëndruar në pikëkalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, ndërsa në datat 27 dhe 28 mars 2013 ka qëndruar në pikëkalimet kufitare në Merdarë, Mutivodë, Dheu i Bardhë dhe Muçibabë. Qëllimi i vizitës në gjashtë pikëkalimet kufitare të kufirit ndërshtetëror mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë ishte identifikimi dhe konfirmimi i lokacioneve në vijën kufitare ku do të ndërtohen pikëkalimet e përhershme të IBM-it në kufirin mes të dy shteteve. Në këto vizita të përbashkëta trepalëshe morën pjesë edhe delegacioni i BE-së dhe EULEX-it si dhe përfaqësues të palës serbe.
Në bazë të marrëveshjes së IBM-it dhe të protokollit teknik, zbatimi i plotë i kësaj marrëveshjeje përfshinë ndërtimin e pikëkalimeve të përhershme kufitare të cilat vendosen në vijën kufitare mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Gjatë vizitave në gjashtë pikëkalimet kufitare që zgjatën tre ditë radhazi, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri në cilësinë e Udhëheqëses së Dialogut Teknik ishte prezentë dhe monitoroi përcaktimin e pikëkalimeve të përhershme kufitare të IBM-it në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë të cilat janë identifikuar saktësisht në vijën kufitare në mes të dy shteteve. Objektet e përbashkëta të IBM-it do të ndërtohen me financimin e Bashkimit Evropian i cili tashmë ka alokuar fondet financiare për ndërtimin e objekteve si dhe ka kontraktuar kompaninë e cila do të hartojë projektet ndërtimore dhe do ti kryej punimet.
Ky aktivitet i shënjimit të lokacioneve sipas koordinatave të dakorduara mu në vijën ndarëse ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë është përmbyllur në pikëkalimet kufitare në pjesën veriore të Kosovës në Jarinje dhe Bërnjak ndërsa aktiviteti ka nisur fillimisht më 27 mars 2013 në pikëkalimin kufitar në Merdarë për të vazhduar më 28 mars 2013 në pikëkalimet kufitare në Mutivodë, Dheu i Bardhë dhe Muçibabë.
Ky ishte një aktivitet i Grupit për Zbatimin e Marrëveshjes së IBM-së dhe Protokollit Teknik, grup ky trepalësh i përbërë nga përfaqësues të Republikës së Kosovës, BE-ja dhe Serbia i themeluar më arritjen e marrëveshjes së IBM-së me qëllim të hartimit dhe zbatimit të protokollit teknik të IBM-së. Deri më tani janë funksionalizuar të gjashtë pikëkalimet kufitare në godina të përkohshme dhe tashmë po vazhdohet procesi sipas marrëveshjes për ta bërë një gjë të tillë edhe në godina të përhershme.
Në fund të këtij aktiviteti të tre palët kanë konstatuar se çdo gjë ka shkuar mirë ndërsa përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Bernd Thran, shprehu kënaqësinë për përfundimin me sukses të kësaj faze të zbatimit të marrëveshjes së IBM-it. Tashmë shumë shpejtë pritet që BE-ja të realizojë fazat tjera që përfshinë hartimin e projekteve të objekteve për pikëkalimet e përhershme kufitare të IBM-së dhe më pas të fillohet më ndërtimin e tyre. Këto objekte do të jenë sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe do të kryejnë në mënyrë më të mirë të mundshme kontrollin kufitar duke përfshirë këtu gjitha lehtësirat e nevojshme për qytetarët dhe bizneset e po ashtu duke ngritur në nivelet më të larta sigurinë në këto pikëkalime kufitare.
Gjatë vizitave të gjashtë pikëkalimet kufitare me Serbinë, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka shfrytëzuar rastin që të zhvillojë biseda me autoritetet kufitare të Republikës së Kosovës me çrast nga Komandantët e Policisë dhe zyrtarët e Doganave është njoftuar për sukseset e punës së tyre në përmbushjen e obligimeve ligjore dhe kushtetuese. Zëvendëskryeministrja Tahiri i ka inkurajuar ata që të vazhdojnë përkushtimin për të punuar sa më mirë në shërbim të shtetit dhe të qytetarëve tanë si dhe i ka njoftuar lajmin e mirë se së shpejti do të kenë kushte edhe më të mira pune duke qenë se faza e ndërtimit të objekteve të përhershme është në rrjedh e sipër.
Në delegacionin Republikës së Kosovës të udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri morën pjesë edhe Murat Meha, Kryeshef i Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), Reshat Murati ( AKK), Esat Xani ( AKK), Shaban Guda, Zëvendësdrejtor i Policisë Kufitare, dhe Qemajl Marmullakaj nga ZKM-ja.
Last modified: 14 Maj, 2022