Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri priti një delegacion nga Lugina e Preshevës

3 Shkurt, 2012

Zëvendëskryeministrja Republikës së Kosovës Edita Tahiri ka pritur në një takim përfaqësuesit politik nga Lugina e Preshevës në përbërje te të cilit ishin, z. Riza Halimi, deputet në parlamentin e Serbisë, z. Galip Beqiri, Kryetar i Këshillit Kombëtar të shqiptarëve dhe Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanocit.
 
Në këtë takim u fol për situatën politike në Luginën e Preshevës si dhe për gjendjen e shqiptareve etnik të kësaj pjese si dhe për efektet e marrëveshjeve teknike të arritura në Bruksel për përmirësimin e jetës së shqiptarëve atje.
 
Delegacioni i Luginës së Preshevës njoftoi zëvendëskryeministren Tahiri për zhvillimet më të reja në fushën e realizimit të të drejtave legjitime të komunitetit shqiptarë atje, duke potencuar në veçanti në sfidat dhe vështirësitë në planin politik, ekonomik dhe arsimor. Ata po ashtu vunë në dukje  dukurinë e largimit të vazhdueshëm të shqiptarëve nga vendet e tyre nga mungesa e perspektivave të qarta për shqiptarët.
 
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri duke shprehur shqetësimin për gjendjen jo të mirë të shqiptarëve dhe premtoi angazhimin maksimal të Qeverisë së Republikës së Kosovës në mbështetje të drejtave etnike të shqiptarëve si dhe për ruajtjen e identitetit etnik dhe kulturor në trojet e tyre etnike. Znj. Tahiri theksoi se të drejtat e komuniteteve janë të garantuara me standarde ndërkombëtare andaj Serbia duhet të respektoj këtë obligime ndërkombëtare karshi shqiptarëve të luginës së Preshevës dhe t’u sigurojë mirëqenie e perspektive demokratike.
 
Duke folur për procesin e dialogut teknik në Bruksel, Zëvendëskryeministrja Tahiri tha se dialogu ka për qëllim zgjidhjen e çështjeve teknike mes dy shteteve fqinje, Kosovës dhe Serbisë, dhe marrëveshjet e arritura deri tash janë me efekte pozitive edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës sepse sigurojnë lëvizjen reciproke dhe të njerëzve dhe mallrave. Ajo në veçanti theksoi se njohja reciproke e diplomave universitare është një  ndihmesë për gjeneratën e re të shqiptarëve të Luginës të cilët studiojnë në Kosovë dhe kanë nevojë për punësime dhe studime të mëtejme, dhe gjithsesi është një stimulim që ata të kthehen dhe të jetojnë në vendlindjet e tyre etnike. Ajo po  ashtu premtoi angazhimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifave të sigurimit të automjeteve që po e vështirëson lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke iu bërë me dije se qëndrimi i Kosovës në dialog ka qenë për zgjidhje në favor të qytetarëve dhe se për shkak se Serbia ka insistuar për tarifa të larta atëherë Kosova është përgjigjur me reciprocitet. 
 
Në fund të takimit, u vlerësua  se intensifikimi i bashkëpunimit është në dobi të dyanshme.

Last modified: 3 Shkurt, 2012

Comments are closed.