Prishtinë, 15 mars 2012
Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahirit u takua me delegacionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës në përbërje të së cilës ishin znj. Anne Huhtamaki, Udhëheqëse e Njësisë për Menaxhimin e Krizave dhe Çështjeve Evropiane, znj. Maria Forslund, atashe për çështje evropiane dhe zgjerimin e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, znj. Mina Lajava, nga Njësia për Politikat e Sigurisë dhe ato Ushtarake për Ballkanin si dhe znj. Anne Meskannen, e ngarkuar me punë e Ambasadës së Finlandës në Kosovë.
Në këtë takim u bisedua për rrjedhat politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe për forcimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të Republikës së Kosovës dhe Finlandës.
Gjatë këtij takimi u tha se Finlanda mbështetë perspektiven euroatlantike të Kosovës si dhe mbështetë fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territoriale të saj.
Poashtu u vlerësuan edhe rezultatet e fundit nga dialogu teknik si dhe u konstatua se roli konstruktiv i Republikës së Kosovës në këtë proces konfirmon përmbushjen e standardeve evropiane për fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal.
Gjithashtu u konstatua se duhet të ketë qëndrim të prerë nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të saj që Serbia të respektoj obligimet ndërkombëtare dhe të pengohet në mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë si dhe të kërkohet zhbërja e strukturave paralele në pjesën veriore të vendit.
Bashkëbisedueset në fund të takimit u pajtuan që duhet të vazhdohet me angazhime për të intensifikuar bashkëpunimin në mes të të dyjave vendeve, Kosovës dhe Finlandës.
Last modified: 15 Mars, 2012