Zëvendëskryeministrja e Republikës se Kosovës, znj Edita Tahiri e priti në takim homologun e saj zëvendëskryeministrin e Turqisë z. Bekir Bozdağ.
Gjatë këtij takimi edhe një herë u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve si dhe u shpreh gatishmëria për forcimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqinë në fusha të ndryshme që përfshijnë, diplomacinë, ekonominë, arsimin dhe kulturën.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri falënderoi shtetin turk për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën dhe e njohu homologun e saj për reformat dhe zhvillimet me rendësi historike që i ka ndërmarr Kosova në rrugën e saj euroatlantike si dhe për përfundimin e procesit së pavarësisë se mbikëqyrjes që pritet të ndodh shumë shpejt.
Znj. Tahiri, tha se veprimtaria e suksesshme e Qeverisë së Kosovës po shërben në funksion të një shtetndërtimi demokratik duke theksuar progresin e arritur në fushën e ekonomisë, sundimit të ligjit, arsimit, mirëqenies së qytetarëve dhe komuniteteve dhe fushat tjera të rëndësishme.
Gjithashtu, znj. Edita Tahiri tha se shteti i Kosovës ka për qëllim integrimin plotë në Bashkimin Evropian, NATO, OKB dhe mekanizma tjerë Euroatlantik, si dhe mbetet e përkushtuar për bashkëpunimin rajonal, ndërsa mbështetja e Turqisë në këto procese është mjaft e rëndësishme. Ndërkaq, zëvendëskryeministri Bozdağ përgëzoi për reformat e suksesshme që i ka ndërmarr Kosova që sipas tij dëshmi për këtë është vendimi ndërkombëtar për përfundimin e mbikëqyrjes se pavarësisë se Kosovës.
Mëtej, ai ka shtuar se pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial i shtetit të Kosovës është i pa cenueshëm dhe se Turqia mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe se është i bindur se shteti i Kosovës do të përfaqësohet në mënyrë të denjë. Ai po ashtu theksoi gatishmërinë e Turqisë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e investimeve në Kosovë. Ndërsa u vlerësua se marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen në plotëni e me theks të veçantë ajo për menaxhimin e integruar të kufirit, që sipas bashkëbiseduesve kjo marrëveshje njeh integritetin territorial të Kosovës.
Poashtu, u vlerësua se njohja e plotë e pavarësisë se Kosovës është në interes të paqes dhe stabilitetit në Ballkan, dhe se pesë vendet e BE-se, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovës, kanë një përgjegjësi që ta bëjnë atë me qëllim që të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
Në përfundim, të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për intensifikimin e bashkëpunimit si dhe vlerësuan kontributin e turqve të Kosovës dhe shqiptarëve të Turqisë për forcimin e lidhjeve miqësore mes dy vendeve e popujve.
Last modified: 10 Gusht, 2012