Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj priti studentë nga Gjermania, Çekia dhe Kosova

18 Maj, 2009

Prishtinë, 18 maj 2009

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramë Manaj, ka pritur një grup të studenteve nga Gjermani, Çekia dhe Kosova. Grupi i studentëve është i organizuar në Qendrën “Nisma të Rinjve për Drejtat e Njeriut”, të udhëhequr nga profesoresha Marie – Luis Lange.

Studentët janë interesuar në mënyrë të veçantë për vendet memoriale dhe përkujtimore dhe  për mënyrën e përkujtimit të viktimat e luftës nga shoqëria dhe shteti. 

Zëvendëskryeministri Manaj ka theksuar se 12 deri në 15 mijë qytetar të etnive të ndryshme, të moshave të ndryshme, por shumica dërmuese e tyre kanë qenë civilë, janë viktimizuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Në fshatin Mejë të Gjakovës janë vrarë 577 civilë nga forcat e armatosura dhe paramilitarët serb, dhe kjo është masakra më e madhe e kryer tek ne. Tani kjo ditë shënohet si Dita e të Pagjeturve të Kosovës”, ka thënë zëvendëskryeministri Ramë Manaj.

Zëvendëskryeministri Manaj ka vazhduar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në mbështetjen dhe asistencën sociale të familjeve të dëshmorëve, të viktimave civile etj. Këtë asistencë financiare tani e gëzojnë 7.632 familje në Kosovë.

Në të ardhme do të tentohet që të bëhet racionalizimi i datave përkujtimore dhe memoriale. Në këtë rast do të organizohen përkujtime dhe akademi më cilësore, dhe me një nivel të lartë kulturor dhe në këtë mënyrë do të shënohen datat dhe ngjarjet  e rëndësishme me pietet të lartë dhe meritor.   

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj është përgjigjur në pyetjet e studentëve për përkujtimin e viktimave e luftës nga institucionet dhe shteti. 

Last modified: 18 Maj, 2009

Comments are closed.