Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj priti përfaqësuesit e Bankës Botërore

28 Janar, 2009

Prishtinë, 28 janar 2009
 
Duke iu dëshiruar mirëseardhje dhe falëndruar për përkrahjen në këtë fushë shumë të ndjeshme, z. Manaj, i njoftoi përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe të pranishmit e tjerë me synimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në hartimin e një strategjie për zhvillimin e politikave të qëndrueshme të punësimit.
 
Për këtë, tha zëvendëskryeministri Manaj, kemi formuar grupin ndërministror, si dhe ekipin teknik prej ekspertësh.  Ky ekip me përkrahjen e Bankës Botërore, do hartojë një strategji, e cila më pas do shqyrtohet dhe aprovohet në qeveri. Strategjia, vazhdoi z.Manaj, do jetë pjesë vepruese e punës sonë në këtë fushë, me qëllim të  gjetjes dhe rritjes së vendeve të punës.
 
Nga ana e saj, znj. Anita Schwarz, udhëheqëse e Programit për politika të qëndrueshme të punësimit në Bankën Botërore, bëri të ditur se si Banka Botërore ashtu edhe Grupi prej dhjetë donatorësh dëshirojnë t’i përkrahin politikat e qëndrueshme të punësimit  përmes Qeverisë së Kosovës.
 
Ne dëshirojmë të dimë se cilat janë kërkesat dhe interesimet e qeverisë sa i përket kësaj
fushe dhe ta ndihmojmë ate përmes kapaciteteve tona, të vetëdijshëm për sfidat që na presin kur dihet se sa është e madhe shkalla e papunësisë në Kosovë, qartësoi znj. Schwarz.
 
Takimit, i cili i paraprinë një punëtori e përbashkët që do të organizohet me 2 shkurt, me diskutimet e tyre i kontribuan edhe përfaqësues tjerë të pranishëm në takim, si nga Banka Botërore, ashtu edhe nga përfaqësuesit e deleguar të ministrive, asaj për ekonomi dhe financa, për arsim, shkencë dhe teknologji si dhe të tregtisë dhe industrisë.
 
Përmes një programi bazë që është hartuar nga Banka Botërore, si dhe përpjekjeve të deritashme të qeverisë, pritet që deri në qershor të këtij viti të hartohet një strategji e përbashkët për zhvillimin e politikave të qëndrueshme të punësimit, duke konsultuar dhe përfshirë edhe faktorë tjerë relevantë, përmes të cilëve synohet në vepër rritja e vendeve të punës dhe ngritja e cilësisë në punë.

Last modified: 28 Janar, 2009

Comments are closed.