Prishtinë, 11 mars 2009
Zëvendëskryeministri Ramë Manaj ka bashkëbiseduar me grupin e grave që janë futur në grevë, në Morgun e Prishtinës dhe të cilat kanë kërkuar që sa më parë të zbardhet fati i bijve që vazhdojnë të konsiderohen persona të pagjetur.
Zëvendëskryeministri Manaj ka shprehur angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes për identifikimin e rreth 400 mbetjeve mortore ne Morgun e Prishtinës.
Në këtë funksion, Qeveria e Kosovës do të inicioj dhe realizoj një takim të përbashkët me të gjithë faktorët relevant vendor dhe ndërkombëtar, ekspert të mjekësisë ligjore, përfaqësues të EULEX-it për t’i kyçur për të identifikuar veprimet konkrete për gjetjen e zgjidhjes rreth mbetjeve mortore.
Sipas rekomandimit të preferuar nga ekspertët, Qeveria e Kosovës do të mbështes përsëritjen e analizave të ADN-së në institutet e njohura në lëmin përkatëse në shtetet tjera, ndërsa nëse preferohet si zgjidhje imediate, atëherë Qeveria e Kosovës do të angazhohet që të sigurohet laboratori për analizat e ADN-së në vendin tonë.
Qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin dhe garanton fuqishëm grevistet që do të shfrytëzojë kapacitetet humane dhe financiare në dobi të gjetjes së zgjedhjes për rreth 400 mbetjeve mortore.
Greva është ndërprerë sot pas takimit që ka zhvilluar zëvendëskryeministri Ramë Manaj me grevistet.
Last modified: 11 Mars, 2009