Prishtinë, 24 shkurt 2010
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramë Manaj i shoqëruar nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Sasha Rashiq dhe këshilltari i kryeministrit për komunitete , Sergjan Sentiq, ka qëndruar sot në Komunën e Klinës dhe më pas në atë të Istogut ku është njoftuar me gjendjen e kthimit të të zhvendosurve dhe lidhur me rastet individuale të dhunës që ditëve të kaluara kanë ndodhur mbi pronat serbe në këto dy komuna.
Zëvendëskryeministri, Ramë Manaj fillimisht është ndalur në Klinë, ku është takuar me kryetarin e Klinës, Sokol Bashota, i cili ka njoftuar për gjendjen në këtë komunë dhe aktivitetet lidhur me kthimin e serbëve të zhvendosur.
Z. Bashota tregoi angazhimin e fuqishëm të krijohet një klimë e mirë për të kthyerit dhe të tjerët që mendojnë për tu kthyer në shtëpitë e tyre.
Më pas Manaj, Bashota dhe Rashiq kanë vizituar familjen e Vllada Radosavleviqit në qendër të qytetit, të cilit ditë me parë i janë thyer xhamat e shtëpisë nga persona të panjohur.
Zëvendëskryeministri Manaj, ka thënë se është aty për të rikonfirmuar mbështetjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim në ketë komunë në procesin e kthimit dhe të progresit të vazhdueshëm. “Në asnjë mënyrë nuk do të lejohet që një rast individual i izoluar të dëmtojë imazhin e progresit të përgjithshëm të zhvillimit të Kosovës”, tha Manaj .
Ndërkaq Ministri i MKK-së, Sasha Rashiq ,pohoi se çdo incident duhet të marrë dënimin e merituar nga organet gjegjëse. “Incidentet nuk do ta prishin imazhin e krijuar dhe do të angazhohemi që ato të mos përsëritën më”, ka thënë Reshiq, duke shtuar se sivjet janë ndarë 7.5 milion euro për procesin e kthimit.
Më pas Manaj, Rashiq dhe Sentiq janë pritur në Komunën e Istogut nga nënkryetari Haki Rugova. Komuna e Istogut ka thënë Rugova është shembull i tolerancës dhe mirëkuptimit dhe rasti i fundit i dhunës ndaj një pjestari të komunitetit serb nuk do të tolerohet që të prish imazhin e mirë që kemi krijuar.
Zëvendëskryeministri Manaj dhe ministri Rashiq kanë siguruar udhëheqjen komunale të Istogut se do të ndërmerren të gjitha masat për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe sigurinë e pronave për të gjithë qytetarët. Ata kanë premtuar se Qeveria e Republikës së Kosovës, bashkësia ndërkombëtare dhe donatorët do të përkujdesën për krijimin e kushteve për kthim për të gjithë të shpërngulurit nga komuna e Istogut.
Last modified: 24 Shkurt, 2010