Prishtinë, 16 mars 2009
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramë Manaj, ka kryesuar takimin në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të UNMIK-ut, EULEX-it, ICRC-së, ICO-së, KMDLNJ-së, Shoqatave të familjarëve të personave të pagjetur, ICMP-së, OMPF-së dhe nga mjekësia ligjore. Në takim është diskutuar për procesin e zbardhjes së fatit të të pagjeturve dhe identifikimit të mbetjeve mortore të cilat gjenden në morgun e Prishtinës.
Takimi është vlerësuar si një përpjekje për të koordinuar angazhimin e të gjithë faktorëve relevant për të zbardhur fatin e të gjithë personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.
Përfaqësues të organizatave që janë përfshirë në procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, kanë prezantuar aktivitetet e tyre të deritashme dhe kanë shprehur angazhimin e tyre për të vazhduar punën deri në zbardhjen e plotë të fatit të personave të pagjetur. Zëvendëskryeministri Rama Manaj e ka kërkuar një angazhim të veçantë të të gjithë faktorëve për të gjetur zgjidhje dhe përgjigje në identifikimin e 421 mbetjeve mortore në morgun e Prishtinës. Një sfidë e veçantë në këtë proces është vlerësuar numri i madh i të varrosurve pa e përfunduar analizën e ADN-së, dhe kanë shtruar nevojën e rishikimit të këtyre rasteve. Do të sensibilizohen familjarët e personave të pagjetur për të dhënë mostrat e gjakut për të hulumtuar përputhshmërinë e ADN-së me mbetjet e varrosura pa e kryer hulumtimin ADN-së.
Duke përfunduar diskutimet në këtë temë, zëvendëskryeministri Ramë Manaj ka vlerësuar se çështja e zbardhjes së fatit të të pagjeturve është komplekse dhe nevojitet një angazhim i gjithanshëm i të gjitha institucioneve të përfshira në këtë proces. Zëvendëskryeministri ka kërkuar vazhdimin e punë së institucioneve përgjegjëse, sidomos për identifikimin e mbetjeve mortore që gjenden në morgun e Prishtinës.
Takimi i sotëm ka qenë njëri nga premtimet që zëvendëskryeministri Ramë Manaj e ka dhënë para nënave greviste në morgun e Prishtinës dhe që ka pasuar me ndërprerjen e grevës së tyre të urisë.
Last modified: 16 Mars, 2009