Prishtinë, 26 qershor 2008
Zëvendëskryeministri Ramë Manaj priti një delegacion të Asamblesë Kombëtare të Francës, pjesa më e madhe e të cilëve ishin pjesëtarë të Komisionit për çështje të Sigurisë. Delegacioni që kryesohej nga Z. Jean-Louis BERNARD , përbëhej nga deputetet Jean-Claude BEAULIEU , Jaques DESALLANGRE , Francis HILLMEYER , Michel GRALL , DELORAS,z,HAUTECLOQUE .
Delegacioni shoqërohej nga Znj. Delphine BORIONE, e Ngarkuara me Punë pranë Ambasadës Franceze në Prishtinë.
Zëvendëskryeministri Manaj u shpjegoi deputetëve të Asamblesë Kombëtare të Francës lidhur me angazhimet aktuale të Qeverisë së Kosovës , për miratimin e Kushtetutës dhe të ligjeve si dhe përpjekjet për implementimin e tyre sa më efikas.
Zëvendëskryeministri Manaj prezantoi një pasqyrë për gjendjen e sigurisë në Kosovë, angazhimet e Qeverisë lidhur me statusin e komuniteteve minoritare, përgatitjet për konferencën e donatorëve si dhe planet e strategjinë ekonomike të Qeverisë. Z. Manaj ka prezantuar edhe ecurinë e procesit te njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës dhe ka falënderuar në emër të Qeverisë së Kosovës të gjitha ato vende që kanë akorduar njohjen dhe që po asistojnë edhe më tutje në forma të ndryshme për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe mbështetjet e përpjekjeve për integrime drejt BE-së.
Zëvendëskryeministri Manaj është përgjigjur në pyetjet e ndryshme të shtruara nga delegacioni i parlamentarëve francez. Ndërkaq në prononcimin për media pas takimit zëvendëskryeministri Manaj deklaroi: ”Në këtë takim kemi dhënë informatat për zhvillimet në Kosovë për fazën nëpër të cilën po kalon ajo, në veçanti në ndërtimin e institucioneve, dhe në vazhdimësi të realizimeve të synimeve të Kosovës për një shtet sovran, demokratik dhe për vënien e themeleve të bashkëpunimit me vende të ndryshme, në veçanti me Republikën e Francës, e cila ka qenë në mbështetje të plotë gjatë gjithë procesit të definimit të statusit politik të Kosovës dhe ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e vendit tonë. Kemi pasur mirëkuptim për mbështetje të mëtutjeshme të këtij bashkëpunimi”.
Për media është prononcuar edhe kryesuesi i delegacionit nga Franca z.Jean Louis Bernard, i cili shprehu falënderime për pritjen e organizuar nga ana e zëvendëskryeministrit Manaj, dhe vlerësimet e tij për rolin e Francës për njohjen e shtetit sovran dhe të pavarur të Kosovës. ”Prania jonë këtu pak kohë pas pavarësisë së Kosovës dëshmon vullnetin e Francës që të jemi përkrah jush, për t’ju ndihmuar me mundësit tona, atëherë kur ju dëshironi dhe të dëshmojmë vullnetin tonë të thellë që kemi ndaj këtij shteti sovran dhe të përkrahim në vitet që vijnë”, tha ndër të tjera për media z.Bernard.
Last modified: 26 Qershor, 2008