Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Manaj, priti ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Lauka: Marrëdhëniet tona, sa më intensive, sa më të natyrshme, sipas modelit të marrëdhënieve të shteteve evropiane

2 Prill, 2009

Prishtinë, 2 prill 2009

 

Zëvendëskryeministri Manaj ka përgëzuar ambasadorin Lauka për aderimin e Shqipërisë në NATO dhe për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të Shqipërisë më Bashkimin Evropian. Kjo ngjarje ka një rëndësi të veçantë për të dy vendet e rajonit dhe shënon një arritje të Shqipërisë por edhe për Kosovën, sepse Kosova tashti ka fatin që kufizohet me një shtet që është anëtare e NATO-s, dhe ky anëtarë i NATO-s është Shqipëria që ka lidhje dhe marrëdhënie specifike me Kosovën.

 

Në takim janë diskutuar çështje me rëndësi dhe për bashkëpunimin e dy vendeve në të gjitha fushat.

 

“Kemi konstatuar bashkërisht, se hapja e rrugës, shumë të rëndësishme, që lidhë Kosovën dhe Shqipërinë, është një faktorë jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i çmueshëm. Kjo do të realizojë qarkullimin e shpejtë dhe të lirshëm të njerëzve të dy vendeve tona” ka thënë zëvendëskryeministri Ramë Manaj.

 

Duke komentuar takimet e tij me liderët dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovë, ambasadori shqiptarë, Islam Lauka, i ka vlerësuar ato si takime në kuadër të njohjes së tij si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë.

 

“Këto ditë janë ditë të veçanta, për faktin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, fakt që do të bëhet realitet me datën 4 prill, dhe hyrja në fuqi, nga dita e djeshme, e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian”, është shprehur ambasadori Islam Lauka.

 

Ambasadori Lauka ka vlerësuar edhe angazhimin për të ndërtuar një bashkëpunim të rregullt dhe efektiv për të dy vendet. Në këtë kontekst, ambasadori shqiptarë ka përmend angazhimet për realizimin e nismës për dhënien në shfrytëzim të Portit të Shëngjinit për Kosovën, përfundimin e autostradës që quhet korridori i shqiptarëve dhe bashkëpunimin e mirë ndërkufitar.

 

“Qëllimi është që marrëdhëniet tona të jenë sa më intensive dhe të jenë sa më të natyrshme dhe sa më të ngushta sipas modelit të marrëdhënieve të shteteve evropiane”, ka deklaruar ambasadori Islam Lauka.

Last modified: 2 Prill, 2009

Comments are closed.