Fjalimi i plotë i zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi në takimin e Bordit të Projektit të CDF-së për zhvillimin e kapaciteteve të qëndrueshme të administratës publike në Kosovë
Të nderuara zonja,
Të nderuar zotërinj,
Kam kënaqësinë e veçantë që fillimisht të shpreh falënderimin dhe përkrahjen time të plotë për punën dhe kontributin e vazhdueshëm që Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) janë duke dhënë në ndërtimin e kapaciteteve brenda administratës publike të Republikës së Kosovës.
Në vazhdën e kontributit tuaj të çmuar në ndërtimin e kapaciteteve, projekti i Fondit për Zhvillim Komunitar, i njohur ndryshe si projekti i CDF-it, ka dhënë inputet e tij të drejtpërdrejta në ngritjen e kapaciteteve të qëndrueshme të administratës publike në vend.
Duke pasur në konsideratë nevojën e veçantë që ka vendi ynë për ekspertizën vendore dhe ndërkombëtare, ne besojmë se ky projekt, ashtu sikurse edhe projektet tjera paraprake, po kontribuojnë në rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të punës së institucioneve të vendit nëpërmjet inkuadrimit të trurit intelektual vendor dhe ndërkombëtar në ndërtimin e një administrate të suksesshme kosovare.
Qeveria e Republikës së Kosovës si partner dhe përfitues i këtij projekti, ka treguar vullnetin dhe përkushtimin e saj për reformimin e administratës publike duke u bazuar në parimet e paanshmërisë, transparencës, llogaridhënies, qëndrueshmërisë së administratës nëpërmjet përgatitjes së kuadrove të brendshëm dhe duke rritur efikasitetin e shërbimeve për qytetarët e vendit. Si rezultat i një politike të tillë qeverisëse, ne kemi arritur të bëjmë rishikimin e Strategjisë së Reformës së Administratës Publike ndërsa brenda këtij muaji presim të finalizojmë edhe Planin e Veprimit i cili do të shërbejë si udhërrëfyes i zbatimit të Strategjisë. Po ashtu, në kuadër të punës së Komisionit Ndërministror të Reformës së Administratës Publike të cilin e kryesoj unë, kemi instaluar mekanizma përkatës të cilët do të mirren me zbatimin e Strategjisë dhe Planeve Zhvillimore Strategjike në të gjitha ministritë e linjës dhe në vet Zyrën e Kryeministrit.
Tani për të dhënë një pasqyrim më të detajuar të Strategjisë së Reformës së Administratës Publike, do të fokusohem në ndryshimet esenciale që parashihen në këtë dokument strategjik dhe në politikat e qeverisë për implementimin e suksesshëm të saj.
Strategjia e rishikuar e Reformës së Administratës Publike është një dokument shumë më i shkurtër dhe konkret, në të cilin parashihen objektivat për reformat administrative në nivelin qendror, dhe i identifikon mekanizmat për monitorimin dhe koordinimin e zbatimit të Strategjisë për periudhën afat-mesme 2010-2013.
Për dallim nga Strategjia paraprake e RAP e cila mbulonte 8 objektiva kryesore, Strategjia e rishikuar përmban gjithsejtë 12 objektiva të cilat dalin si nevojë e përditësimit të Strategjisë me prioritetet e reja dhe sfidat e paraqitura. Përveç fushave të rregulluara edhe nga Strategjia paraprake, tani është arritur një zbërthim më i detajizuar i objektivave strategjike dhe janë inkuadruar fusha të reja të cilat janë paraparë si të domosdoshme për reformimin e suksesshëm të administratës publike.
Objektivat e Strategjisë së Reformës së Administratës Publike janë: 1. Menaxhimi i politikave, 2. Hartimi i Legjislacionit, 3. Etika dhe Transparenca, 4. Komunikimi me qytetarë, 5. Planifikimi i buxhetit, 6. Ekzekutimi i buxhetit, 7. Kontrolli dhe auditimi i brendshëm, 8. Prokurimi publik, 9. Riorganizimi i administratës publike, 10. Menaxhimi dhe zhvillimi i burimeve njerëzore, 11. Racionalizimi i proceseve administrative dhe 12. Qeverisja Elektronike (e-Qeveria)
Këto objektiva ndërlidhen drejtpërsëdrejti me të gjitha sektorët e administratës publike, megjithatë me qëllim të krijimit të një mekanizmi për zbatimin e Strategjisë, janë tre institucione kryesore të cilat do të krijojnë trekëndëshin e koordinimit për implementimin e Strategjisë. Këto tre institucione janë: Zyra e Kryeministrit, Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Ekonomisë dhe Financave.
Strategjia e re e Reformës së Administratës Publike ka promovuar instalimin e një mekanizmi për koordinim, vlerësim dhe monitorim të zbatimit të Strategjisë, duke paraparë angazhimin e një eksperti për çdo objektivë të Strategjisë dhe pastaj në nivel vertikal, parasheh angazhimin e një eksperti në ZKM, MAP dhe MEF për koordinim të zbatimit të objektivave strategjike. Këta persona të cilët do të bartin mbi vete punën kryesore profesionale të monitorimit dhe zbatimit të Strategjisë, do të informojnë Komisionin Ndërministror të Reformës së Administratës Publike për zbatimin e Strategjisë dhe sfidat e paraqitura.
Strategjia e re, po ashtu merr parasysh rëndësinë e reformës së administratës publike në proceset integruese të vendit, andaj në dokumentin e ri të reformës, po ashtu parasheh që pjesë e KNRAP të jetë edhe Ministria e Integrimit Evropian për të dhënë kontributin e tyre në procesin e gjithëmbarshëm të reformës së administratës publike.
Duke shpalosur Strategjinë e Reformës së Administratës Publike, më lejoni të bëj thirrje për mbështetje të këtij vizioni në mënyrë që bashkërisht të ndikojmë në zbatueshmërine e plotë të saj. Përkundër që administrata publike paraqet një fushë mjaft të gjerë, ne besojmë fuqishëm se përkrahja konkrete në angazhimin e ekspertëve vendor të paanshëm dhe profesionalë për mbulimin e pikave koordinuese në implementimin e kësaj Strategjie dhe të Planeve Zhvillimore të ministrive të linjës, nëpërmjet projektit të CDF-it do të luajë një rol të rëndësishëm në ngritjen e një mekanizmi për vlerësim, koordinim dhe zbatim të Strategjisë, të cilët do të kenë përkrahjen e plotë politike të Komisionit për Reformën e Administratës Publike për krijimin e një administrate publike të qëndrueshme efektive dhe efikase.
Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,
Në cilësinë e zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës dhe kryesuesit të Komisionit Ndërministror të Reformës së Administratës Publike, ju siguroj që shumë shpejt do të shohim frytet e reformimit të administratës publike në vend, ndërkaq jam zotuar edhe ndaj ministrave dhe sekretarëve permanent se pa marrë parasysh kostos që mund të ketë, mos zbatimi i kësaj strategjie dhe planeve zhvillimore do të sanksionohet ashpër për të gjithë.
Krejt në fund, më lejoni që edhe njëherë të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen e thellë jo vetëm për kontributin e projektit të CDF-it dhe të UNDP dhe KFOS, por edhe të të gjitha qeverive dhe partnerëve ndërkombëtar të cilët në vazhdimësi kanë dhënë kontributin e tyre material dhe profesional me qëllim të ngritjes së një administrate vendore të suksesshme.
Ju faleminderit!
Last modified: 5 Tetor, 2010