Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Kuçi: Qeveria e Republikës së Kosovës ka prioritet mbi prioritete rendin dhe ligjin

22 Shtator, 2010

Prishtinë, 22 shtator 2010

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi dhe Shefi i deritanishëm i Misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon, kanë kryesuar takimin e radhës të Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit.

Ky ishte takimi i fundit për z.Kermabon në cilësinë e shefit të Misionit të EULEX-it, si dhe takimi i parë i prezantimit të shefit të ri të këtij misioni, Xavier Bout de Marnhac dhe zëvendësit të tij, z. Andy Sparkes.

Pas takimit, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, shefi në largim i Misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon dhe shefi i ri i Misionit të EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, u deklaruan para mediave.

Në vazhdim, po prezantojmë thekse nga deklarimi i zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi:

Falënderova z.Kermabo për punën dhe angazhimin e tij. Ai ka dhënë një kontribut të çmuar në sundimin e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës, në angazhimin e tij edhe personal për ngritjen e kapaciteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Mund të them se dy vjet e gjysmë pas funksionalizimit të EULEX-it në Kosovë, sot në Kosovë ka më shumë rend, më shumë ligj dhe ka më shumë ngritje të kapaciteteve në fushën e drejtësisë dhe të policisë.

Njëkohësisht i dëshirova mirëseardhje z.Marnac, duke i uruar punë të mbarë dhe të suksesshme dhe gatishmërinë e Republikës së Kosovës për bashkëpunim të plotë dhe të suksesshëm.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka prioritet mbi prioritete rendin dhe ligjin dhe në këtë drejtim do të jetë prioritare lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe dukurive të tjera negative dhe për këtë presim mbështetjen e plotë të EULEX-it.

Jam i bindur se çelësi i suksesit është bashkëpunimi në mes të Qeverisë së Kosovës dhe EULEX-it.

Ky sukses ka treguar që jep rezultatet e veta dhe kam thënë në fillim që bashkërisht mund të bëjmë shumë punë, ndërsa ndaras shumë pak apo fare. Këtë do ta vazhdojmë edhe me Xavier de Marnac.

Z.Kermabo ka qenë një udhëheqës i mirë i misionit të EULEX-it, një sjellës i mirë i raporteve me të gjithë në Qeverinë e Kosovës dhe një shembull i mirë i bashkëpunimit.

Last modified: 22 Shtator, 2010

Comments are closed.