Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Kuçi: Qeveria e Kosovës ka objektiv anëtarësimin në BE dhe në NATO, duke ndërtuar vlera të përbashkëta me botën perëndimore dhe fqinjësi të mirë në rajon

24 Gusht, 2010

Prishtinë, 24 gusht 2010

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi ka mbajtur sot një ligjëratë para studentëve dhe profesorëve të Universitetit Amerikan në Kosovë (AUK), në temën : “Perceptimi për sigurinë në rajon dhe roli i BE’-së

Në ligjëratën e tij zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka trajtuar pesë çështje kyçe lidhur me perceptimin e sigurisë të vendit tonë por edhe të sigurisë rajonale dhe të asaj globale.

Duke trajtuar rolin e NATO-së në Kosovë dhe rajon z. Kuçi ka thënë se prezenca e KFOR-i në Kosovë ka qenë jetik . Por jo vetëm për Kosovën por edhe për qetësimin e rajonit në përgjithësi. “Kosova nuk e sheh sigurinë e vetë si të izoluar nga siguria rajonale dhe ajo globale”,  pohoi z. Kuçi, duke shtuar se zgjidhja e sigurisë në Kosovë por edhe për rajonin nuk është vetëm në ngritjen e kapaciteteve  në planin e sigurisë por në prezencën ndërkombëtare, anëtarësimin në BE dhe në NATO.

Ndërkaq duke folur për ndikimin e proceseve anëtarësuese  në sigurinë e vendit Kuçi ka thënë se rol të veçantë ka edhe prezenca ndërkombëtare në vend (EULEX, ICO, KE).  Raportet e ndër varshmërisë BE- SHBA kanë rol të jashtëzakonshëm në aspektet e sigurisë. SHBA  luajnë një rol në sigurinë globale , evropiane por edhe të sigurisë së secilit shtet veç e veç.

Një çështje tjetër që ndikon drejtpërdrejt në sigurinë sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi është edhe aspekti i zhvillimit ekonomik ku BE ka rol dominant. Sipas z. Kuçi heqja e mureve në ekonomi ndikon edhe në qasjen për siguri duke dekurajuar forcimin e pasigurisë.  Zvogëlimi i hendekut në mes të botës së të pasurve dhe të varfërve  ndikon po ashtu fuqishëm  në zvogëlimin e armiqësive.

Çështja e pestë dhe  fundit e trajtuar nga Kuçi në AUK kishte të bënte me përcaktimin e vlerave të përbashkëta të shoqërive si kontribuuese në planin e sigurisë. Mbrojtja e vlerave të përbashkëta thotë Kuçi ndikon edhe në forcimin dhe transferin e resurseve  për ato shtete në planin politik por edhe të sigurisë.

“Qeveria e Kosovës ka objektiv anëtarësimin në BE dhe në NATO , duke mos lënë anash ngritjen e kapaciteteve tona në planin e sigurisë, duke ndërtuar vlera të përbashkëta  me botën perëndimore dhe fqinjësi të mirë në rajon”, pohoi zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Pas ligjëratës z.Kuçi u është përgjigjur shumë pyetjeve të studentëve të AUK. 

Last modified: 24 Gusht, 2010

Comments are closed.