Prishtinë, 22 janar 2010
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi priti sot sekretarin e shtetit të Austrisë, z. Reinhold Lopatka.
Pas takimit, zëvendëskryeministri Kuçi u deklarua për media. Në vijim po e japim të plotë prononcimin e tij.
Patëm një takim të shkëlqyeshëm me Sekretarin e shtetit të Austrisë. E falënderova për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme që ka dhënë shteti austriak për shtetin dhe qytetarët e Kosovës.
Biseduam në mënyrë konkrete për mundësitë e bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona, në veçanti në dy fusha, si, bashkëpunimin bilateral në mes të Kosovës dhe Austrisë, që ka mundësi dhe mund të bëhet edhe në fushën e bashkëpunimit ekonomik, edhe të bashkëpunimeve të tjera, në kuptimin e investimeve dhe investitorëve që mund të vijnë nga Austria, në veçanti në fushën e arsimit të lartë, ku ka pasur një investim të vazhdueshëm.
Unë mora zotimin që do të ketë investim edhe për Universitetin e Prizrenit nga shteti i Austrisë dhe ngritjen e këtij universiteti të ri.
Po ashtu biseduam për mundësinë që shteti i Austrisë ta ndihmojë Kosovën ne mekanizmat e ndryshëm ndërkombëtar, ne veçanti në kuadër të Unionit Evropian për perspektivën tonë evropiane dhe mbështetjen për njohjen nga pesë shtetet anëtare të UE-së, që se kanë bërë ende një gjë të tillë.
Në këtë drejtim e falënderova për deklaratën dhe mbështetjen e ministrit e Punëve të Jashtme dhe unë besoj se mes Kosovës dhe Austrisë ka perspektivë të bashkëpunimit dhe ka perspektivë të një bashkëpunimi të sinqertë, të plotë dhe shumë serioz.
Last modified: 22 Janar, 2010