Prishtinë, 23 Dhjetor 2008
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe zëvendësministri italian Guido Crosetto kanë biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe për bashkëpunimin e Kosovës dhe Italisë.
Z. Kuçi me këtë rast ka falënderuar Qeverinë dhe popullin italian për ndihmën dhe përkrahjen që i kanë dhënë Kosovës para dhe pas shpalljes së pavarësisë.
Zëvendëskryeministri Kuçi po ashtu ka vlerësuar lartë angazhimin e kontingjentit italian të KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në Kosovë.
“Populli italian për Kosovën është popull mik”, ka thënë z. Kuçi, duke shtuar se bashkëpunimi midis dy vendeve do të shënojë ngritje të vazhdueshme, përfshirë edhe ngritjen e Forcës së Sigurisë dhe të Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës.
Mekanizmat e sigurisë në Kosovë ka pohuar zëvendëskryeministri Kuçi do të ngrihen konform standardeve të NATO-s dhe ato gjithnjë do të prodhojnë siguri në Kosovë dhe rajon.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, në emër të Kryeministrit Thaçi dhe të Qeverisë së Kosovës me këtë rast i ka bërë ftesë kryeministrit Berluskoni dhe ministrit të Jashtëm Fratini që ta vizitojnë Republikën e Kosovës.
Zëvendësministri italian i Mbrojtjes, z. Guido Crosetto tha se dy vendet tona edhe pse janë larg gjeografikisht kjo nuk pengon për bashkëpunimin e mirë në shumë fusha. Ai vlerësoi angazhimin e Italisë në kuadër të Eulexi-it dhe kjo më së miri tregon respektin e Italisë për Republikën e Kosovës , theksoi zëvendësministri italian të Mbrojtjes, Guido Crosetto.
Last modified: 23 Dhjetor, 2008