Prishtinë, 8 tetor 2010
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi ka pritur sot ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në NATO, Artur Kuko.
Zëvendëskryeministri Kuçi me këtë rast ka falënderuar ambasadorin Kuko për angazhimin e tij permanent, që e ka pasur në raport me qasjen që e ka NATO për Kosovën, për sigurinë rajonale në tërësi.
“Një përkushtim të veçantë e patëm për raportin dhe kompetencat që mund t’i ketë edhe qëndrimi i NATO-s, reduktimi i forcave të tyre dhe qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të shkojë në formë proporcionale me ngritjen e kapaciteteve tona sigurisë, me reduktimin e numrit të pjesëtarëve të KFOR-it, por edhe me rrugëtimin tonë për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë, që synojmë shumë shpejt të jemi edhe anëtarë të NATO-s” – theksoi zëvendëskryeministri Kuçi.
“Ishte një përgëzim i veçantë për procesin e liberalizimit të vizave, për marrjen e tyre nga Republika e Shqipërisë, që është një lajm i mirë për rajonin, për shqiptarët kudo që gjenden, por besojmë edhe për vetë Unionin Evropian, për çka besojmë në të ardhmen e afërt edhe Kosova do t’i bashkëngjitet këtij lajmi të mirë për tërë Evropën” – u shpreh z.Kuçi.
Nga ana e tij, ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në NATO, Artur Kuko shprehu bindjen e thellë që Kosova do t’a ndjek Shqipërinë jo shumë vonë në këtë rrugën e liberalizimit të vizave dhe që qytetarët kosovarë do të kenë mundësinë të udhëtojnë lirisht nëpër Evropë.
Last modified: 8 Tetor, 2010