Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Kuçi: Kur populli shqiptar bëhet bashkë dhe kur ka partneritetin ndërkombëtar, edhe liria është e afërt

9 Prill, 2013

09 prill 2013

Një betejë që ka dhënë 3 heronj të kombit dhe 114 dëshmorë është një prej betejave që duhet të kujtohet me lavdi, me respekt, por edhe një prej betejave që duhet të jetë gurthemel i vendimeve tona, qoftë politike, qoftë institucionale apo një jete që do të vijë.

Më lejoni të theksoj 2 karakteristikat kryesore që ka Beteja e Koshares, që është domethënëse për ne dhe për gjeneratat që do të vijnë: e para ka të bëjë me  unitetin politik dhe ushtarak që ka arritur Beteja e Koshares, dhe e dyta ka të bëjë simbolikën e kufirit – ka thënë mes tjerash zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi në hapjen e manifestimit përkujtimor “Ditët e Shqipes”, që po mbahet nën përkujdesjen e Kryeministrit Hashim Thaçi, për nder të 14 vjetorit të Betejës së Koshares 

Në vazhdim po japim në tërësi fjalën e zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi në hapjen e Manifestimit përkujtimor “Ditët e Shqipes

Të nderuar familjarë të dëshmorëve,

Pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve Ramadani, Çekaj, Fetahu dhe Avdiu dhe të gjithë ju pjesëtarë të luftës së lirisë,

Zonja dhe zotërinj;

Jam jashtëzakonisht i nderuar që sot bashkërisht po shënojmë përvjetorin e 14-të një prej betejave më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një prej betejave që shënon kulmin e unitetit politik dhe ushtarak të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe një prej betejave që ka kulmuar me thyerjen simbolik e kufirit në mes të shqiptarëve.

Me lejoni të theksoj që një betejë që ka dhënë 3 heronj të kombit dhe 114 dëshmorë është një prej betejave që duhet të kujtohet me lavdi, me respekt, por edhe një prej betejave që duhet të jetë gurthemel i vendimeve tona, qoftë politike, qoftë institucionale apo një jete që do të vijë.

Më lejoni të theksoj 2 karakteristikat kryesore që ka dhe është domethënëse për ne dhe për gjeneratat që do të vijnë. E para ka të bëjë me  unitetin politik dhe ushtarak që ka arritur Beteja e Koshares, dhe e dyta ka të bëjë simbolikën e kufirit.

Në Betejën e Koshares u pa si askund më mirë se mund të punojmë dhe mund të luftojmë bashkë. Ata që respektuan urdhëratë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të  Kosovës, të Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së dhe ata që në mend i kishin idetë e Ibrahim Rugovës. Dhe, në këtë drejtim u pa që ka një unitet politik dhe ushtarak dhe ky unitet duhet të tregohet qytetarëve të Kosovës sa herë që është nevoja. Natyrisht që ky unitet i theksuar politik dhe ushtarak edhe me linjën komandues të brendshme, por edhe me koordinim të plotë edhe me faktorin ndërkombëtar. Natyrisht, ne duhet të jemi gjithmonë mirënjohës për angazhimet e luftëtarëve tonë dhe punën e qytetarëve tanë dhe të angazhimit të forcave të NATO-s, që ishin krahë ato ditë e që janë krahë edhe sot e kësaj dite.

Një falënderim i veçantë duhet të jetë jo vetëm për shtetin e Shqipërisë, por duhet të jetë edhe për familjet shqiptare përtej apo këndej kufirit që aq shumë sakrifikuan me angazhimin e djemve, vajzave me sigurimin e bukës dhe me angazhimet tjera. Mendoj se këtu simbolika më e mirë është në faktin se kur populli shqiptar bëhet bashkë dhe kur ka partneritetin ndërkombëtar, edhe liria është e afërt. 

Natyrisht se edhe luftëtarët por edhe qytetarët tanë e theksojnë rëndësinë dhe simbolikën e thyerjes së kufirit. Të gjithë ne dimë se kufijtë në Ballkan  janë më të rëndësishëm se çka do tjetër. Prishja e kufirit me Shqipërinë atë ditë ka edhe një simbolikë tjetër, sepse duke prishë këtë kufij, ne në të njëjtin kohë vendosëm një kufij tjetër, atë me Serbinë. Në fakt nuk ekziston kufiri me Shqipërinë, por vetëm ai me Serbinë.

Të nderuar qytetarë,

Sot si koincidencë është edhe Dita e Kushtetutës. Më lejoni që të gjithë qytetarëve t’ua uroj këtë ditë dhe ta theksoj me bindje të plotë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, shteti i Kosovës ka qenë synim çdo beteje që nga ajo e Adem Jasharit, që nga ajo e Gllogjanit, që nga ajo e Zahir Pajazitit dhe të gjithë luftëtarëve tjerë dhe ka pasur si synim shtetin ligjor, kushtetutën të shtetit tonë.

Andaj ne sot mund të mburremi që kemi një shtet, kemi një kushtetutë  dhe që kemi një popull  që ruan unitetin e sajë saj sa herë që është nevoja.

Shkurt mund të konstatojmë se në çdo fazë të jetës të punës dhe të angazhimeve tona, na prijnë përpara veprat e luftëtarëve të lirisë dhe qëllimi i tyre. Dhe, sa herë që bisedojmë me këdo, edhe me  Serbinë, nuk bisedojmë për ndryshimin e atyre kufijve, që janë të mbrojtur me gjak, por vetëm për atë çka është përcaktuar me Kushtetutën tonë.

Urime për këtë ditë dhe lavdi të gjithë luftëtarëve tanë dhe faleminderit për veprën e të gjithë luftëtarëve, komandantëve, që aq shumë luftuan dhe bënë sakrifica për çlirimin e Kosovës.

Urime.      

Last modified: 9 Prill, 2013

Comments are closed.