Prishtinë, 21 janar 2010
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi ka pritur sot në takim përfaqësuesit e BE-së, z. Thomas Boserup dhe z. Nikolai Vulchanov, ekspertë për reformën zgjedhore në Kosovë.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka falënderuar z. Boserup dhe z. Vulchanov për përgjigjen pozitive që i kanë dhënë Qeverisë së Kosovës, që të marrin pjesë në procesin e monitorimit të zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Gjatë takimit është diskutuar për tri fusha të procesit zgjedhor që në të ardhmen kanë nevojë të reformohen. E para ka të bëjë me fushën legjislative; me procesin e apelimit, si dhe çështja e kompetencave të Komisionit Qendror Zgjedhor, të partive politike dhe të individëve të tjerë.
“Ne kemi një pajtueshmëri që këto janë pengesa, në të cilat duhet të punojë Qeveria e Kosovës bashkë me ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë. Kemi pajtueshmëri që kjo reformë zgjedhore ka nevojë të ketë një ambient të përshtatshëm edhe me subjektet e tjera politike në Kosovë, dhe besoj që është një plan ambicioz nëse themi që këtë reformë do të arrijmë ta bëjmë brenda këtij viti”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi.
Më tutje z. Kuçi ka thënë se KQZ-ja është institucion profesional, i pavarur, i cili bën zbatimin dhe implementimin e ligjit dhe nuk merr vendime politike. Ne do ta respektojmë pavarësinë në institucione, por gjithsesi nga të gjithë ne do të kërkohet ta respektojmë ligjin, pohoi zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
z. Thomas Boserup ka pohuar se Komisioni Evropian mbetet i përkushtuar për të përkrahur institucionet e Kosovës në konsolidimin e procesit zgjedhor.
Last modified: 21 Janar, 2010