Prishtinë, 18 maj 2009
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, në takimin e sotëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, që u mbajt në Prishtinë, theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron bashkëpunimin rajonal, si një ndër prioritetet kryesore të politikës së jashtme.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara dhe do t’i kushtojnë vëmendje të veçantë forcimit të marrëdhënieve shumëpalëshe rajonale. Ky angazhim do t’i shërbejë promovimit të fqinjësisë së mirë, forcimit të sigurisë, stabilitetit, si dhe integrimit të plotë të të gjitha vendeve të rajonit në strukturat Euro – Atlantike”, theksoi zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
Prezenca e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal në Republikën e Kosovës, u ofron institucioneve tona një mundësi, një pasqyrë më në detaje rreth këtij këshilli, në bazë të fushave prioritare të përcaktuara me Statutin e këshillit, si: Ekonomia dhe Çështjet Sociale, Energjia dhe Infrastruktura, Siguria, Çështjet e Brendshme dhe Drejtësia, Ndërtimi i kapaciteteve njerëzore, si dhe Bashkëpunimi Parlamentar, ka theksuar zëvendëskryeministri Kuçi.
Republika e Kosovës është e përkushtuar për t’u bërë një anëtare kontribuuese e Bashkësisë Ndërkombëtare, për bashkëpunimin e ngushtë me të gjitha vendet e rajonit për promovimin e qëllimeve të përbashkëta, paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
Prezantimi i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal ka vazhduar me prezantimet e ekspertëve në fushën e sigurisë, në fushën e punëve të brendshme dhe drejtësisë, në fushën e energjisë dhe minierave dhe në fushën e bashkëpunimit parlamentarë dhe ndërkufitar.
Last modified: 18 Maj, 2009