Prishtinë, 21 Dhjetor 2008
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se çështja e Gjashtëpikëshit për Kosovën është e përfunduar dhe ajo do të zbatojë vetëm aktet e veta juridike dhe ligjet e saj në tërë territorin e Kosovës.
Deklaratat e zëvendëskryeministrit Kuçi pasuan një letër të presidentit serb Boris Tadiq, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, me të cilën kërkohet përcaktimi i një axhende për fillimin e zbatimit të Planit Gjashtëpikësh, që u miratua në Këshillin e Sigurimit së bashku me një përgjigje katërpikëshe të Prishtinës zyrtare.
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, tha se shtrirja e Misionit Evropian për Drejtësi dhe Polici, EULEX, në gjithë territorin e Kosovës, është një simbolikë me perceptim pozitiv për qytetarët e Kosovës.
Por, zoti Kuçi ka bërë me dije se çdo shmangie nga qëndrimi apo tendenca për të shtrirë autoritetin në tërë territorin e Kosovës, shënon shmangie nga misioni i EULEX-it dhe kjo do të rishqyrtohet seriozisht.
Last modified: 21 Dhjetor, 2008