Prishtinë, 3 mars 2009
Komisioni Drejtues Ndërministror për Reformën e Administratës Publike ka diskutuar mbarëvajtjen e procesit të reformimit të administratës publike si dhe është njohur me prezantimet e FRIDOM-it, që është duke përgatitur rekomandimet për rishikimin funksional në Qeverinë e Kosovës.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, në fjalën e tij të hyrjes, ka vlerësuar se Reforma e Administratës Publike, për Qeverinë e Kosovës, është një proces i profesionalizimit dhe modernizimit të Administratës Publike në Kosovë. Zëvendëskryeministri ka theksuar gjithashtu se procesi i deritashëm, gjetjet, analizat dhe puna në Reformën e Administratës Publike do ta ndihmojnë Qeverinë e Kosovës për ta çuar këtë proces përpara.
Ministri i Shërbimeve Publike, Arsim Bajrami, ka theksuar se viti 2009 do të jetë një vit i progresit të reformës e cila po zhvillohet në tri drejtime. Drejtimi i parë është plotësimi i kuadrit ligjorë, drejtimi i dytë është e-qeverisja që këtë vit do të fillojë me lansimin e produkteve të para dhe drejtimi i tretë është rishikimi funksional i institucioneve tona.
Në vijim, përfaqësues të FRIDOM-it, organizatë britanike që është duke bërë hulumtimet për rishikimin funksional të institucioneve qendrore të Qeverisë së Kosovës, ka prezantuar gjetjet dhe rekomandimet në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore në shërbimin civil të Kosovës. Një prezantim kanë bërë edhe për gjetjet dhe rishikimin funksional të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministrin e Shërbimeve Publike dhe në Agjensionin Kadastral të Kosovës.
Në takim është prezantuar edhe një draft për strategjinë e komunikimit për Reformën e Administratës Publike, që synon të përmirësojë njohurit e opinionit publik me procesin e reformës, t’i komunikojë objektivat e reformës, të përmirësojë pjesëmarrjen e opinionit në diskutimin publik të këtij procesi. Strategjia synon të arrij perceptimin e opinionit publik për reformën e administratës publike si nj ë vlerë të shoqërisë sonë që synon të ketë një administratë moderne dhe në shërbim të qytetarëve tonë.
Last modified: 3 Mars, 2009