“Kosova tani ka disa sfida, prej të cilave ndër më kryesoret është fitimi i mbështetjes edhe më të madhe ndërkombëtare, mbështetje kjo, e cila duhet të jetë jo vetëm në planin e sigurisë, por edhe në atë politik dhe ekonomik”, ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, pas takimit me zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Finlandës z.Jyrki Katainen.
Prishtinë, 29 maj 2008
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Hajredin Kuçi ka pritur sot z. Jyrki Katainen, zëvendëskryeministër dhe ministër i Financave i Finlandës
Në emër të Qeverisë së Kosovës dhe popullit të saj, Z. Kuçi ka falënderuar z. Katainen për ndihëm që ka dhënë Finlanda vazhdimisht për Kosovën, në ndërtimin e paqes, të ekonomisë, si dhe për njohjen e shtetit të Kosovës nga Finlanda.
“Kosova tani ka disa sfida, prej të cilave ndër më kryesoret është fitimi i mbështetjes edhe më të madhe ndërkombëtare, mbështetje kjo, e cila duhet të jetë jo vetëm në planin e sigurisë, por edhe në atë politik dhe ekonomik”, ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi .
Bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe për përgatitjet për Konferencën e Donatorëve.
Z. Jyrki Katainen ka premtuar përkrahje konkrete të vendit të tij në Konferencën e Donatorëve për Kosovën, e cila pritet të mbahet në korrik të këtij viti.
Zëvendëskryeministrat Kuçi dhe Katainen kanë biseduar edhe për fazën e tranzicionit, për kontributin e KFOR-it finlandez në Kosovë dhe për transformimin që do të ndodh nga UNMIK-u në EULEX.
Zëvendëskryeministri finlandez, Z. Jyrki Katainen, tha se vendi i tij do t’i dërgojë 60 ekspertë në Kosovë në kuadër të misionit të EULEX-it, si dhe do të ndihmojë në zhvillimin e fushës së arsimit dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Gjatë takimit është shprehur gatishmëria e dy palëve për bashkëpunim bilateral dhe bashkëpunim në kuadër të mekanizmave ndërkombëtarë.
Last modified: 29 Maj, 2008