Prishtinë, 3 shkurt 2009
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, priti sot një delegacion të Këshillit të Evropës të udhëhequr nga z. Bjorn Von Sydow.
Në takim zëvendëskryeministri Kuçi njoftoi delegacionin e Këshillit të Evropës me zhvillimet aktuale në Kosovë, me theks të veçantë për përkushtimet e vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës për sundimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës. Me këtë rast u bisedua edhe për një mocion të rezolutës së re që po përgatitet në Këshillin e Evropës për Kosovë.
Qeveria e Republikës së Kosovës theksoi zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi do të vazhdojë implementimin e vizionit të saj, për mbështetjen konkrete të pjesëmarrjes aktive të të gjitha komuniteteve, posaçërisht të komunitetit serb në jetën politike dhe institucionale të vendit.
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi pohoi gjithashtu se mbështetja e Misionit të EULEX-it është jetike për sundimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës.
Në takim është biseduar edhe për inkurajimin e bashkëpunimit regjional, për respektimin e tërësisë territoriale të secilit shtet të Evropës Juglindore.
Ishte konstatim i përbashkët se janë të panevojshme dhe destabilizuese ndërhyrjet negative nga Beogradi në komunitetin serb në Kosovë. Zëvendëskryeministri Kuçi u angazhua për krijimin e klimës së bashkëpunimit të gjithanshëm të vendeve të rajonit, në mënyrë që procesi i integrimit në Bashkimin Evropian të implementohet më lehtë dhe në momentin e duhur.
Zëendëskryeministri Hajredin Kuçi theksoi se në takimin me delegacionin e Këshillit të Evropës është kërkuar që me rezolutën e Këshillit të Evropës për Kosovën të hapen dyert për integrimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtare, në Këshillin e Evropës, si dhe në mekanizmat tjera ndërkombëtare. Posaçërisht është biseduar për mundësinë e mbështetjes për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane, tha zëvendëskryeministri Kuçi.
Last modified: 3 Shkurt, 2009