Prishtinë, 4 maj 2009
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, kanë biseduar për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit të të dy vendeve dhe për zhvillimet e proceseve ne rajon.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka vlerësuar se bashkëpunimi i Kosovës dhe Shqipërisë tashmë shihet si një bashkëpunim i dy vendeve në të mirë të mirëqenis së qytetarëve tanë dhe në të mirë të paqes, zhvillimit dhe stabilitetit të rajonit dhe këtij bashkëpunimi nuk duhet t’i frikësohet askush.
“Kemi konstatuar bashkërisht, se hapja e rrugës, shumë të rëndësishme, që lidhë Kosovën dhe Shqipërinë, është një faktorë jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i çmueshëm. Kjo do të realizojë qarkullimin e shpejtë dhe të lirshëm të njerëzve të dy vendeve tona” ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
Në bashkëpunimin e gjithanshëm të Kosovës dhe Shqipërisë, duhet të ketë edhe më shumë iniciativa të biznesit privat nga të dyja vendet tona, ka theksuar zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
“Do të ketë hapa konkret të sinqertë dhe serioz, dhe, nga ana e Qeverisë së Kosovës do të jenë gjithmonë dyert e hapura për bashkëpunim”, ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
Ambasadori shqiptarë, Islam Lauka, ka shprehur qëndrimin se zhvillimi i marrëdhënieve të mira dhe përmirësimi i infrastrukturës së komunikimit dhe lidhjeve në mes të dy vendeve, do t’i kontribuojë bashkëpunimit sa më të mirë dhe procesit të integrimit të rajonit në strukturat euroatlantike.
Last modified: 4 Maj, 2009