Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka pritur kryetarin e njërit prej subjekteve politike të shqiptarëve të Maqedonisë, Demokracia e Re, Imer Selmani

9 Qershor, 2010

Prishtinë, 9 qershor 2010

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi ka pritur sot kryetarin e njërit prej subjekteve politike të shqiptarëve të Maqedonisë, Demokracia e Re, Imer Selmani.

Temë bosht e takimit ishte gjendja aktuale në Kosovë, Maqedoni dhe rajon, zhvillimet që kanë të bëjnë me pozitën e shqiptarëve në Maqedoni dhe çështje tjera me interes.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi riafirmoi qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbështetjen e plotë të avancimit të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni, duke theksuar se implementimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit është mëse i domosdoshëm për të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

Nga ana e tij, kryetari i Demokracisë së Re, Imer Selmani shprehu mirënjohje për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe për të gjitha institucionet e Kosovës për rolin e pakontestueshëm në procesin e avancimit të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni dhe theksoi se ky proces është në interes të paqes, të stabilitetit dhe të bashkëpunimit rajonal.

Në këtë kuadër, ndërtimi i raporteve të fqinjësisë së mirë, mes Kosovës dhe Maqedonisë, është edhe në interes të shqiptarëve në Maqedoni – u shpreh z. Selmani në takim.  

Last modified: 9 Qershor, 2010

Comments are closed.