Prishtinë, 12 nëntor 2010
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi i shoqëruar nga ministri Fatmir Limaj, zëvendësministri Idriz Vehapi dhe deputetët, Rexhep Hoti e Nait Hasani, ka takuar sot përfaqësuesit e Shoqatës së Vreshtarëve të Komunës së Rahovecit.
Zëvendëskryeministri Kuçi me këtë rast ka biseduar me vreshtarët lidhur me ecurinë e kompensimit të premtuar nga Qeveria e Kosovës për prodhimin e rrushit gjatë këtij viti.
“Ju jeni punëtorët më të mëdhenj të Republikës së Kosovës dhe ju prodhoni rrushin që është krenaria e këtij vendi”, theksoi z. Kuçi duke u premtuar vreshtarëve të Rahovecit se gjithmonë vreshtarët e Rahovecit dhe puna e tyre do të çmohet.
Zëvendëskryeministri Kuçi tha se Qeveria e Kosovës ka mbajtur premtimin. Deri tash janë bërë pagesat për 480 bujq dhe pjesa tjetër do të bëhet javën që vjen.
Ndërkaq kryetari i Shoqatës së Vreshtarëve të Rahovecit, Labinot Shulina ka falënderuar zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për premtimin e mbajtur ndaj vreshtarëve dhe u shpreh shumë i kënaqur që të gjithë bujqit janë kompensuar me nga 1 mijë euro për çdo hektar të vreshtave me rrush.
Last modified: 12 Nëntor, 2010