Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi: Do të vazhdojmë implementimin e standardeve dhe kritereve demokratike për t’u integruar sa më shpejtë në BE

28 Janar, 2009

Prishtinë, 28 janar 2009
 
Delegacion i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i kryesuar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, në të cilin marrin pjesë edhe ministrat Ahmet Shala dhe Lutfi Zharku, si dhe këshilltari i kryeministrit Thaçi, Driton Qehaja, ka vazhduar vizitën zyrtare në Bruksel.
 
Delegacioni gjatë ditës së sotme ka zhvilluar takime me drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë së Tregtisë të Komisionit Evropian Davdi O’Sullivan, si dhe me z. Pierr Mirel, Drejtor për Ballkanin Perëndimor në Drejtoratin e Përgjithshëm të Zgjerimit të KE-së.
 
Delegacion i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i kryesuar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi në këto takime ka diskutuar për çështjet që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë, Fondin Monetar Ndërkombëtarë dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
 
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi në takime me zyrtarët e lartë të Komisionit Evropian i ka falëmnderuar ata për mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha drejtimet që Komisioni Evropian i ka dhënë Kosovës. Z.Kuçi është shprehur në këto takime për thellimin e bashkëpunimit, me theks të veçantë për mbështetjen e Komisionit Evropian në avancimin e strukturave të institucioneve të Kosovës që objektiv parësor kanë integrimin në Bashkimin Evropian.
 
Zëvendëskryeministri Kuçi në këto takime ka potencuar se Qeveria e Republikës së Kosovës, edhe përmes Agjencisë për Koordinim të Zhvillimit dhe Integrime Evropiane do të vazhdojë përkushtimin për plotësimin e standardeve të BE-së, që janë  në të mirë të ardhmërisë evropiane të shtetit demokratik të Kosovës.
 
Temat tjera të diskutimit ishin edhe çështjet që kanë të bëjnë me CEFTA-në dhe bllokadat në fushën e tregtisë, si dhe përfaqësimin e jashtëm të Kosovës në organizata të ndryshme rajonale dhe multilaterale.
 
Gjithashtu, në këto takime temë bosht ishte edhe Raporti i Fizibilitetit për Kosovën, që do të publikohet në vjeshtë.
 
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës, që për koncept bazë të punës kanë qeverisjen e mirë, përmes punës dhe përkushtimit konkret në implementimin e standardeve dhe kritereve demokratike, përmes investimeve në të gjithë sektorët në Kosovë, kanë treguar vullnet politik për të tejkaluar edhe sfidat që mund t’i dalin Kosovës në rrugën e saj të pandalshme në drejtim të integrimeve evropiane.
 
Ndërsa, gjatë ditës Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala pati takim me drejtorin e Drejtoratit të Përgjithshëm për Ekonomi dhe Financa të Komisionit Evropian, Antonio de Lecea. Në ketë takim është biseduar për krizën globale ekonomike dhe financiare dhe ndikimet e saj në Kosovë, Evropë dhe në botë. 

Last modified: 28 Janar, 2009

Comments are closed.