Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi viziton Luginën e Preshevës

5 Shtator, 2022

Preshevë dhe Bujanoc, 5 shtator 2022

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u prit së bashku me ministren e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në Këshillin Kombëtar Shqiptar. Fillimisht u mbajt takimi me kryetarin e Këshillit, Ragmi Mustafi dhe më tej me deputetin Shaip Kamberi.

Për z. Bislimi dhe znj. Nagavci ishte organizuar një pritje e ngrohtë nga Këshilli Kombëtar Shqiptar. Në këto takime, u bisedua bashkërisht mbi vëmendjen e veçantë të Qeverisë ndaj Luginës së Preshevës. Me kryetarin, Ragmi Mustafi, z. Bislimi vuri theksin mbi fondin e ndarë prej 2 milionë eurosh për Luginën përgjatë këtij viti, me qëllim përmirësimin dhe investimin në jetën kulturore, ruajtjen dhe mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore e historike, si dhe përkrahjen e projekteve, trajnimeve dhe programeve me interes për rininë. Në Luginën e Preshevës është jetike qasja e barabartë dhe simetrike, në trajtimin e komunitetit shqiptar.

Rëndësi të veçantë kishte edhe ndihma e mundësuar nga ana e Qeverisë për mundësimin, sigurimin dhe financimin e teksteve shkollore për shkollat fillore për nxënësit e Luginës. Zëvendëskryeministri Bislimi tha se jemi të vetëdijshëm se kjo ndihmë është pozitive, por jo e mjaftueshme, ku është e nevojshme të vijojmë bashkëpunimin edhe për sigurimin e teksteve për nxënësit e shkollave të mesme. Këtë bashkëpunim, duhet ta zgjerojmë edhe përtej fushës së arsimit. Angazhimi i të rinjve dhe krijimi i mundësive të tyre për arsim dhe punësim është i domosdoshëm.

Kryetari Mustafi e falënderoi Qeverinë e Republikës së Kosovës për përkushtimin dhe angazhimin. Gjithashtu, përmendi rëndësinë e trajtimit të çështjes së Luginës së Preshevës në dialogun me Serbinë. Çështja e Luginës së Preshevës duhet të ndërkombëtarizohet dhe të adresohen probleme jetike si shpopullimi i këtyre zonave, konventa kornizë për garantimin e të drejtave dhe ligji për pakicat.

Ndërkaq, në takimin me deputetin Shaip Kamberi, u fol mbi reciprocitetin dhe trajtimin e çështjes dhe të drejtave të shqiptarëve në Luginë, nevojën për rritjen e prezencës së Qeverisë së Kosovës, rrezikun e shpopullimit, regjistrimi i popullsisë dhe njohja e diplomave.

Në kuadër të kësaj vizite, zëvendëskryeministri Bislimi u prit në një drekë pune edhe nga liderët politikë të Preshevës, me të cilët diskutoi mbi shqetësimet e tyre për komunitetin shqiptar në Luginë dhe zgjerimin e ndërveprimit me Preshevën.

Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu përkushtimin e tij në rritjen e mbështetjes, bashkëpunimit, projekteve të mundshme në të ardhmen dhe avancimit kolektiv të të drejtave të Luginës.

Last modified: 5 Shtator, 2022

Comments are closed.

×