Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi takoi Zëvendës Drejtorin menaxhues për Evropë të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) të BE-së, Marko Makovec

15 Prill, 2024

Prishtinë, 15 prill 2024

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim Zëvendës Drejtorin menaxhues për Evropë të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) të BE-së, Marko Makovec.

Përgjatë takimit, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi nevojën për heqjen sa më parë të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, gjersa ato vijojnë të mbeten të padrejta.

Theksoi dhe domosdoshmërinë e avancimit tutje të vendit tonë në rrugëtimin drejt integrimit evropian, veçanërisht trajtimit të aplikimit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku mbetemi i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor ende pa statusin e vendit kandidat, përkundër ecurisë pozitive dhe shënimit të progresit, jo vetëm në zbatimin e reformave, por edhe performancës së lartë në fusha kyçe si, ekonomia, sundimi i ligjit, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, të drejtat e njeriut e liria e mediave.

U trajtuan dhe zhvillimet e fundit në vend e rajon, fuqizimi i bashkëpunimit rajonal, vizioni i Planit të Rritjes si instrument që duhet të ndihmojë në konvergjencën mes shteteve të rajonit, por edhe atë me BE-në dhe perspektiva e zhvillimit dhe prosperitetit në shtetin tonë.

Duke e falënderuar për bashkëpunimin e vazhdueshëm, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu vlerësimin për bisedat përherë të frytshme dhe i uroi z. Makovec vizitë produktive në Kosovë.

Last modified: 15 Prill, 2024

Comments are closed.

×