Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi priti në takim Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı

28 Shtator, 2023

Prishtinë, 28 shtator 2023

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.

Fillimisht, Ambasadori Angılı shprehu ngushëllimet e tij për familjen e të ndjerit Afrim Bunjaku, Policinë dhe popullin e Kosovës. Ai tha se Turqia e mbështet Kosovën në këtë moment të vështirë pas këtij sulmi.

Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi Ambasadorin për mbështetjen dhe mesazhin e tij. Ai e informoi atë më tej mbi sulmin terrorist të së dielës, duke thënë se ishte i orkestruar e organizuar nga Beogradi zyrtar.

Tashmë ka prova të mjaftueshme që faktojnë përfshirjen e Serbisë në këtë sulm, nga prezenca e nënkryetarit të Listës Serbe, prezenca e truprojës së shefit të BIA, Vulin, e deri tek mjeti i gjetur e konfiskuar në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, vërtetimi i dhënë nga ushtria serbe për pajisje me armatim të rëndë e strehimi i terroristëve në Serbi. Ky ka qenë një skenar i përgatitur nga Beogradi zyrtar për destabilizimin e Republikës së Kosovës.

Më tej, palët diskutuan edhe për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve të shkëlqyera bilaterale dhe rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve tona.

Last modified: 28 Shtator, 2023

Comments are closed.

×