Zyra e Kryeministrit

Vendoset gurthemeli i çerdhes së re në Godancë të Shtimes

20 Tetor, 2023

Shtime, 20 tetor 2023

Në Godancë të Shtimes, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vendosi gurthemelin e çerdhës së re.

Kryeministri Kurti theksoi se ky projekt dëshmon përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Komunës së Shtimes, për të investuar dhe për t’u kujdesur për fëmijët që janë edhe e tashmja, edhe e ardhmja e vendit tonë.

Kjo është çerdhja e 31-të, në mesin e atyre që i kemi ndërtuar, rinovuar e adaptuar, tha Kryeministri. Ai ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e angazhuar në investime për edukimin e hershëm, andaj deri më tash ka investuar 10.7 milionë euro për çerdhe, ndërsa janë edhe 5 milionë të tjera prej fondeve IPA, të Bashkimit Evropian.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bëri të ditur se së shpejti pritet të finalizohet edhe çerdhja e cila është duke u ndërtuar në Myzeqinë, gjersa për vitin e ardhshëm është paraparë edhe çerdhja në Petrovë.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Sot është një ditë e gëzuar për Godancën dhe Shtimen, për fëmijët dhe për prindërit, që e vëmë gurthemelin e çerdhes së re këtu, që paraqet përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe Komunës së Shtimes, për të investuar dhe për t’u kujdesur për fëmijët, që janë edhe e tashmja, edhe e ardhmja e vendit tonë.

Edukimi i hershëm është vendimtar për karakterin dhe tejet i rëndësishëm për karrierën e këtyre fëmijëve, një ditë kur ata do të rriten dhe do të vazhdojnë punët e mira që i bën brezi ynë, edhe për veten e tyre, por edhe për ata që do të vijnë pas tyre, si gjenerata të reja në të ardhmen.

Qeveria e Republikës së Kosovës deri më tash ka investuar 10.7 milionë euro, para të buxhetit të shtetit tonë për çerdhe, dhe janë edhe 5 milionë të tjera prej IPA, fondeve të Bashkimit Evropian.

Kjo është çerdhja e 31-të, në mesin e atyre që i kemi ndërtuar, rinovuar e adaptuar.

Unë e falënderoj edhe Ministren e Arsimit, edhe Kryetarin e Komunës, falënderoj gjithë qytetarët për këtë mikpritje kaq të përzemërt. Urime, dhe e gëzofshi të gjithë, edhe fëmijët, edhe prindërit, edhe zyrtarët e komunës, edhe edukatorët.

Ju dëshiroj punë të mbara e suksese të panumërta.

Last modified: 20 Tetor, 2023

Comments are closed.

×