Zyra e Kryeministrit

Udhëheqësi i Zyrës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në ZKM, Faik Fazliu dhe Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha, nënshkruajnë Memorandumin e Mirëkuptimit për punësimin e 16 invalidëve të luftës së UÇK-së në PTK

31 Dhjetor, 2009

Prishtinë, 31 dhjetor 2009
 

Udhëheqësi i Zyrës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në Zyrën e Kryeministrit, Faik Fazliu dhe Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha, kanë nënshkruar një memorandum të mirëkuptimit, me rastin e integrimit/punësimit të 16 invalidëve të luftës së UÇK-së në kuadër të PTK-së.

Si pjesë e politikës së Zyrës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe implementimit të politikave të menaxhmentit të PTK Sh.a për bashkëpunimin institucional dhe ndihmesë në fushën sociale në Republikën e Kosovës, me qëllim të mbështetjes së kategorive të dala nga lufta  me nevoja të veçanta, KE i PTK-së ka firmosur marrëveshjen, me të cilën që nga 1 janari i vitit 2010 do të fillojnë punën 16 invalidë të luftës, të cilët kanë aftësi të kufizuara pune.
 

“Këta invalidë kanë dhënë më së shumti për Kosovën dhe sot është nder i madh për PTK-në që t’i ketë prej nesër ne mesin tonë, sepse janë pikërisht këta njerëz që meritojnë më së shumti respekt dhe përkushtim maksimal ekonomik dhe social”, deklaroi Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha.
 

Ai bëri të ditur se 16 invalidët që do të fillojnë zyrtarisht punën që nga dita e nesërme, puna e re u është përshtatur afatësive të tyre fizike dhe në të njëjtën kohë ai ka theksuar se Posta dhe Telekomi i Kosovës nën menaxhimin e tij ka bërë më shumë se çdo institucion tjetër në fushën e punësimit, aftësimit dhe solidaritetit si dhe nxitjes së këtyre kategorive për angazhim në krijimin e mbështetjes për dinjitet, të drejta dhe mirëqenie.
 

Nga ana e tij, Faik Fazliu, udhëheqës i Zyrës për Çështje të Veteranëve pranë Zyrës së Kryeministrit ka falënderuar KE të PTK-së për mundësinë e integrimit të invalidëve të luftës në përputhje me aftësitë që dalin nga nevojat e tyre të veçanta.
 

“I jemi tepër mirënjohës z.Haxha për mundësinë e punësimit të 16 invalidëve të luftës dhe kur këtij fakti i shtohet gjendja tepër e rëndë sociale dhe fizike e këtyre kategorive, atëherë falënderimi për PTK-në është i jashtëzakonshem”, tha z.Faik Fazliu. 
 

PTK do të vazhdojë të punësojë dhe ndihmojë kurdo dhe kudo që ka mundësi financiare, natyrisht duke pasur në konsideratë autorizimet ligjore dhe mundësitë financiare.

Last modified: 31 Dhjetor, 2009

Comments are closed.