Zyra e Kryeministrit

U vendos gurthemeli i objektit të ri të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore

23 Shkurt, 2023

Prishtinë, 23 shkurt 2023

Arsimi është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e shtetit tonë, të shoqërisë sonë. Është edhe shtylla kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të vendit, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e vënies së gurthemelit të objektit të ri të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, i cili shoqërohej edhe nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Duke theksuar se është kënaqësi e veçantë për të që të jetë pjesë e vënies së këtij gurthemeli, kryeministri Kurti tha se matematika dhe shkencat natyrore ofrojnë bazën për zhvillimin e njohurive të reja dhe avancimin e të kuptuarit të botës nga ana jonë.

“Matematika dhe shkencat natyrore kanë ndikim ndër-disiplinor edhe në fusha tjera, dhe kanë rol veçanërisht të rëndësishëm për zhvillimin e inxhinierisë dhe të shkencave teknike. Prandaj, është shumë me rëndësi që objekti i ri i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore po ndërtohet mu pranë objektit ekzistues të fakulteteve teknike. Kjo afërsi fizike ndërmjet fakulteteve të shkencave natyrore dhe aplikative do të ofrojë mundësi për bashkëpunim më të ngushtë dhe shkëmbime akademike e shkencore që mund t’i kontribuojnë shumë zhvillimit të ndërsjellë të fushave të STEM që ato mbulojnë”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri uroi që gurthemeli që po e vejmë sot të jetë edhe një faqe e re në historinë e zhvillimit të Universitetit të Prishtinës, si dhe e zhvillimit të gjithmbarshëm socio-ekonomik të vendit tonë.

Ai tha se e po e bëjmë edhe një hap të rëndësishëm në krijimin e parakushteve për zhvillimin e arsimit dhe të kërkimit në Kosovë. Ndërtimi i objektit të ri modern për Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës do t’ju sigurojë studentëve dhe personelit akademik infrastrukturën, teknologjinë dhe burimet e nevojshme për zhvillim akademik dhe profesional në degët studimore të këtij fakulteti.

Falënderim të veçantë pati për Bashkimin Evropian për financimin e këtij projekti përmes fondeve të IPA-s, si dhe UNOPS-in si partner implementues në realizimin e tij.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në vendosjen e gurthemelit të objektit të ri të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore:

I nderuari shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasador Tomáš Szunyog,
E nderuara Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,
E nderuara Koordinatore për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, znj. Arnhild Spence,
I nderuari Rektor i Universitetit të Prishtinës, Profesor Qerim Qerimi,
I nderuari Kryetar i Komunës së Prishtinës, z. Perparim Rama,
E nderuara përfaqësuese e UNOPS, znj. Freya von Groote,
Të nderuar akademikë, profesorë dhe studentë të pranishëm,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi e veçantë për mua që sot të jem pjesë e vënies së gurthemelit të objektit të ri të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës.

Matematika dhe shkencat natyrore ofrojnë bazën për zhvillimin e njohurive të reja dhe avancimin e të kuptuarit të botës nga ana jonë. Ato janë pjesë integrale e progresit njerëzor që mundësojnë zhvillimin e teknologjive, të barnave e të materialeve të reja, si dhe adresimin e problemeve me të cilat ballafaqohet njerëzimi. Matematika dhe shkencat natyrore kanë ndikim ndër-disiplinor edhe në fusha tjera, dhe kanë rol veçanërisht të rëndësishëm për zhvillimin e inxhinierisë dhe të shkencave teknike. Prandaj, është shumë me rëndësi që objekti i ri i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore po ndërtohet mu pranë objektit ekzistues të fakulteteve teknike. Kjo afërsi fizike ndërmjet fakulteteve të shkencave natyrore dhe aplikative do të ofrojë mundësi për bashkëpunim më të ngushtë dhe shkëmbime akademike e shkencore që mund t’i kontribuojnë shumë zhvillimit të ndërsjellë të fushave të STEM që ato mbulojnë. Uroj që gurthemeli që po e vejmë sot të jetë edhe një faqe e re në historinë e zhvillimit të Universitetit të Prishtinës, si dhe e zhvillimit të gjithmbarshëm socio-ekonomik të vendit tonë.

Të nderuar të pranishëm,

Arsimi është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e shtetit tonë, të shoqërisë sonë. Është edhe shtylla kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të vendit. Politikat në fushën e arsimit që tashmë i kemi hartuar synojnë fuqizimin dhe reformimin e sistemit arsimor, duke filluar nga edukimi në fëmijëri të hershme e deri tek arsimi i lartë, e gjatë gjithë jetës. Rritja e cilësisë është objektiv në të gjitha nivelet e arsimit, e kur flasim për arsim të lartë, fjalët kyçe të politikave tona për të arritur këtë rritje të cilësisë janë: integriteti, standardet, kriteret dhe performanca. Pra, integriteti, standardet, kriteret dhe performanca.

Kështu, Projektligji për Arsimin e Lartë që tashmë është në Kuvend të Republikës përcakton kriteret e qarta për themelimin e institucioneve të arsimit të lartë, kushtet dhe standardet minimale për emërime akademike, si dhe mekanizmat për sigurimin e integritetit akademik dhe verifikimin e titujve akademik. Projektligji gjithashtu parasheh mekanizmin e financimit të institucioneve publike të arsimit të lartë në bazë të kontratave të performancës.

Në anën tjetër, përmes projektligjit po aq të rëndësishëm për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, i cili po ashtu është në fazat finale të shqyrtimit nga Kuvendi, garantohet pavarësia institucionale dhe financiare e agjencisë në fushën e akreditimit dhe validimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe të programeve të tyre akademike. Për më tepër, ky projektligj është në harmoni të plotë me standardet dhe procedurat evropiane – ESG, dhe si i tillë garanton ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë, nxitë shkëmbimet e studentëve dhe stafit akademik, ndikon në ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, transferin e teknologjisë dhe dijeve, si dhe krijon parakushte për ndërlidhjen e sistemit të arsimit me tregun e punës. Jemi të lumtur që përparimi i treguar në ngritjen e standardeve të akreditimit tashmë ka mundësuar ripranimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim si anëtare e asocuar e ENQA-s.

Ngritja e cilësisë së arsimit të lartë kërkon edhe rritjen e punës kërkimore-shkencore në institucionet e arsimit të lartë, sepse universitetet dhe institucionet shkencore, janë një vend ku edhe prodhohet dija, e jo veçse thjesht të konsumohet ajo. Politikat tona qeveritare janë duke adresuar edhe këtë aspekt pra shumë të rëndësishëm. Tashmë është funksionalizuar Këshilli Kombëtar i Shkencës dhe është hartuar drafti i Programit Kombëtar të Shkencës 2023-2028.

Është finalizuar zhvillimi i sistemit KRIS – Sistemi i Informacionit Kërkimor të Kosovës dhe ndërkohë ka filluar edhe pilotimi i tij. Ky sistem ofron informata gjithëpërfshirëse për punën kërkimore në Kosovë, duke përfshirë institucionet kërkimore, hulumtuesit nga vendi dhe mërgata, infrastrukturën kërkimore, numrin e punimeve shkencore të publikuara, fondet e alokuara për kërkime, si dhe projektet vendore dhe ndërkombëtare shkencore.

Në fund të vitit të kaluar, ne përuruam krijimin e Rrjetit Kombëtar për Kërkim dhe Edukim, Rrjeti – KREN, që është edhe një kontribues kyç, që i hapë rrugë intensifikimit të aktiviteteve kërkimore-shkencore në vendin tonë. KREN tanimë iu ofron të gjitha Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë qasje në infrastrukturë, në platforma, në softuerë e literaturë moderne dhe mundësi bashkëpunimi e shkëmbimi njohurish brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës. Me realizimin e KREN-it, Kosova është kyçur në rrjetin më të madh akademik pan-Evropian GÉANT. Kjo u mundëson hulumtuesve tanë të kenë qasje në resurse të ndryshme shkencore e bashkëpunim më të mirë me hulumtuesit nga shtetet tjera, që janë pjesë të këtij rrjeti.

Kosova është tashmë pjesë e programit Horizon Europe dhe në ndërkohë jemi në pritje të aprovimit nga Bashkimi Evropian të anëtarësimit tonë edhe në programin Digital Europe. Gjatë vitit të kaluar, institucionet kërkimore të Kosovës kanë arritur të kualifikohen për 5 projekte në kuadër të Horizon Europe. Synimi ynë është ngritja e vazhdueshme e kapaciteteve vendore për të aplikuar dhe përfituar më shumë nga këto fonde kërkimore të Bashkimit Evropian.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Sot po e bëjmë edhe një hap të rëndësishëm në krijimin e parakushteve për zhvillimin e arsimit dhe të kërkimit në Kosovë. Ndërtimi i objektit të ri modern për Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës do t’ju sigurojë studentëve dhe personelit akademik infrastrukturën, teknologjinë dhe burimet e nevojshme për zhvillim akademik dhe profesional në degët studimore të këtij fakulteti.

Më lejoni të falënderoj veçanërisht Bashkimin Evropian për financimin e këtij projekti përmes fondeve të IPA-s, si dhe UNOPS-in si partner implementues në realizimin e tij. Uroj realizim të suksesshëm të projektit dhe mezi pres të shoh ndikimin pozitiv, që do ta ketë për universitetin dhe për studentët e ardhshëm të tij.

Ju faleminderit!

 

Last modified: 23 Shkurt, 2023

Comments are closed.

×