Zyra e Kryeministrit

U shënua 7 Marsi – Dita e Mësuesit

7 Mars, 2009

Prishtinë, 07 mars 2009

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës,  Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në Akademinë solemne organizuar nga Ministria e  Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë , me rastin e 7 marsit, Ditës së Mësuesit.  Kanë marrë pjesë ministri Enver Hoxhaj, përfaqësues të institucioneve arsimore të Kosovë, veteranë të  arsimit dhe arsimtarë të dalluar.

Në vazhdim po japim të plotë fjalimin e kryeministrit Hashim Thaçi mbajtur në Akademinë solemne me rastin e 7 marsit, Ditës së Mësuesit.

Të nderuar të pranishëm,

Sot është një ditë e shënuar në kalendarin e festave të vendit tonë: dita e arsimtarëve.

Kjo ditë mbartë në vete dy dimensione që në historinë e shkollës shqipe kanë qenë gjithmonë të pandashme : përkushtimin për dije dhe sakrificat për liri dhe shtet të pavarur.

Arsimtarët e Kosovës, nga gjenerata në gjeneratë, kanë qenë në ballë të lëvizjeve tona njëshekullore për çlirim dhe përparim.

Historia e rrugëtimit tonë drejt lirisë nuk mund të ketë kuptim pa kontributin e arsimtarëve kosovar.

Ju mbajtët gjallë frymën e rezistencës atëherë kur populli ynë përballej me politikën sistematike të aparteidit.

Ju ishit aty kur populli ynë u ngrit në luftë të armatosur për ti dhënë fund kësaj politike.

Dhe përsëri në ditët e para të lirisë Ju ishit aty ku po fillonte rindërtimi i jetës dhe vendit.

Të nderuar të pranishëm,

Sot Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i ndërtuar mbi parimet dhe vlerat e demokracisë.

Detyrat e mëdha të konsolidimit të shtetit dhe zhvillimit ekonomik i kemi përpara. Në këtë rrugëtim ne kemi vetëm një alternativë, alternativën e suksesit. 

Këto sfida të mëdha kërkojnë përkushtim dhe dije. Kjo vjen nga zhvillimi i një sistemi të edukimit cilësor në të gjitha nivelet e tij. 

Duke qenë të vetëdijshëm për këtë fakt qeveria ime që në ditët e para të saj e ka bërë arsimin një nga prioritetet më të rëndësishme të punës së saj. 

Ne nuk humbëm kohë dhe filluam menjëherë punën në modernizimin e infrastrukturës shkollore dhe përmirësimin e stimulimit financiar për arsimtarët tanë duke ngritur pagat e Juaja. 

Sot imazhet e  Kosovës me shkollat kontejner janë zhdukur. 

Nxënësit janë të lumtur sepse po edukohen në shkolla të modernizuara, e arsimtarët si kurrë më parë ndjehen më të motivuar për punën që e bëjnë. 

Ne po ia kthejmë dinjitetin profesionit të arsimtarit. 

Ne nuk do të ndalemi më kaq. 

Investimi ynë në edukim do të vazhdoj, në të gjitha nivelet e tij,  sepse investimi në edukim është investimi për të ardhmen tonë si shtet dhe shoqëri. 

Kjo e ardhme ka vetëm një kuptim : integrimin euro-atlantik të vendit tonë. 

Një nga standardet themelore të këtij integrimi është zhvillimi ekonomik, i cili në kushtet bashkëkohore bazohet mbi dijen dhe edukimin cilësor. 

Prandaj, të nderuar të pranishëm, nëse dje arsimi ishte shtyllë e rezistencës sonë për liri, sot është shtyllë e integrimit të vendit tonë në familjen e demokracive të zhvilluara. 

Duke iu uruar të gjithë arsimtarëve të Kosovës ditën e 7 marsit dua të ri theksoj përkushtimin tim dhe Qeverisë që drejtoj për zhvillimin e arsimit. 

Me rastin e 7 marsit,  Ministria e  Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe shkolla fillore “Hasan Prishtina “ nga Prishtina kanë hapur një ekspozitë me fotografi  në të cilën  është prezantuar  rruga e arsimit në Kosovë në periudha të ndryshme kohore . 

Sot Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj  përuruan shkollën e  re në  lagjen “ Tusus “ në Prizren.

Last modified: 7 Mars, 2009

Comments are closed.