Zyra e Kryeministrit

U mbajt takimi i Grupit Ndërministror i Qeverisë për Ujërat

20 Tetor, 2009

Prishtinë,  20 tetor 2009

Nën drejtimin e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, u mbajt takimi i parë i Grupit Ndërministror për Sektorin e Ujërave.  Në hapje të këtij takimi, z. Kuçi tha se Grupi Ndërministror do të marrë përsipër përgjegjësitë për përmirësimin e situatës në sektorin e ujërave përmes zhvillimit të politikave sektoriale dhe planeve të veprimit të bazuara në praktika më të mira.
 
“Grupi Ndërministror për Ujërat, do të jetë një entitet për grumbullimin dhe vlerësimin e përvojave pozitive në sektorin e ujërave, eliminimin e pengesave si dhe koordinimin e bashkëpunimit mes Qeverisë dhe të donatorëve. Për ma tepër, ky trup do të sigurojë një platformë për zhvillimin e politikave për reformimin e sektorit të ujërave duke pas parasysh perspektivat e ndryshme, nga shfrytëzuesit e ujërave deri tek ofruesit e shërbimeve” theksoi kryesuesi i Grupit Ndërministror për Ujërat, Hajredin Kuçi.
 
Grupi Ndërministror për Ujërat po ashtu do të zhvillojë dhe miratojë politikat e duhura për të siguruar qëndrueshmërinë e reformave dhe investimeve në sektorin e ujërave.

Grupi Ndërministror për Ujërat, përbëhet nga shtatë anëtar të përhershëm dhe kryesohet nga zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi. 

Po ashtu marrin pjesë edhe dy përfaqësues nga komuniteti i donatorëve si dhe ministritë:
 
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (Zëvendës Kryesues, për resurse ujore);
Ministri i Financave dhe Ekonomisë (për ndërmarrjet ujore dhe financa);
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (për pushtetin lokal);
Ministri i Punëve të Jashtme (për ujërat ndërkufitare);
 
 Në rast nevoje në këtë sektor do të angazhohen edhe: Ministria e Drejtësisë, Ministria e Energjisë dhe Minierave, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Last modified: 20 Tetor, 2009

Comments are closed.